“Hysaj do të firmosë për një ekip që luan në Champions”

Çdo ditë e më shumë flitet për të ardhmen e Elseid Hysaj dhe tashmë të gjithë janë të informuar se mbrojtësi shqiptar është në fund të kontratës dhe një okazion për shumë ekipe të cilat nuk do të shpenzonin para për ta blerë kartonin e tij.

Agjenti i lojtarit shkodran, Mario Giuffredi zbulon të tjera detaje për të ardhmen e tij dhe tanimë nuk e përmend Napolin si opsion sepse nuk ka asnjë dyshim që ai do të largohet nga të kaltërit.

“Hysaj bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj Milanit duke luajtur në të majtë, ndaj Juventusit nëse do të fitonte Napoli sërish të gjithë do ta lavdëronin por e pamë sesi shkoi ndeshja. Në verë ai do të transferohet në një klub që do të luajë në Champions League, por jo detyrimisht. Kemi shumë zgjidhje për mbrojtësin dhe po i vlerësojmë, mungon shumë deri në këtë pikë prandaj nuk mund të flasim ende me siguri për të ardhmen” perfundoi përfaqësuesi i mbrojtësit shqiptar.

Ndërkohë zërat për një kalim te Milani janë gjithnjë e më shumë në rritje dhe Hysaj do të ishte një xholi për mbrojtjen pasi mund të bëjë të dyja krahët por nuk duhen lënë mënjanë edhe Roma me Lazion që e pëlqejnë futbollistin shqiptar.