Tërhiqet Pioli: Nuk kemi thënë kurrë fjalën titull
Milani nuk po kalon një formë të mire dhe ka luhatje në rezultate në javët e fundit. Duke qenë në vend të dytë, kuqezinjtë në letër janë rivalët e Interit për titull por në vigjilje të sfidës Parmës, trajneri Stefanio Pioli tashmë e quan të mbyllur luftën për Scudetton duke vënë theksin në atë që kërkon Milani.
“Nga ne nuk ka dale kurrë fjala titull, por ne synojmë gjithmonë maksimumin sepse mendojmë se kemi kualitet për të fituar të gjitha ndeshjet. Për ne objektivi i vërtetë është Champions League dhe jo vetëm, do të më pëlqente të kaloja numrin e ndeshjeve si trajner të Allegrit në stolin kuqezi”.
Më pas Pioli u përqëndrua në ndeshjen me Parmën ku theksoi se emilianët nuk duhen nënvlerësuar sepse meritojnë më shumë se renditja që ata kanë aktualisht.
“Duhet të bëjmë natyrisht më mirë se ndaj Sampdorias, ata janë një skuadër fizike dhe e shpejtë e vështirë për t’u përballur. Kemi kuptuar gabimet që kemi bërë dhe më vjen mire që lojtarët duan të korrigjojnë gjërat që nuk ecin. Ne kemi nevojë për kualitet dhe ritëm loje dhe kjo është e rëndësishme sepse na jep bindje dhe force në fushë.”
Trajneri kuqezi u ngacmua edhe për 3 lojtarë të rëndësishëm që janë në fund të kontratave si Zlatan, Donnarumma dhe Calhanoglu por siguroi se janë të qetë dhe të fokusuar për ndeshjen e radhës e gjithashtu pohoi se Theo Hernandez është në formë pavarësisht ndeshjes jo të mire me Sampdorian.