Deformimi i votës, Shabani: Ka tentativa në të gjitha qytetet, një palë që ofrohet ta blejë dhe tjetra që e shet

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer, ngriti edhe njëherë sghqetësimin për mosndëshkimin e krimit zgjedhor.

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, thotë se ky problem në radhë të parë është shqiptar pasi në zgjedhjet e kaluara nga 2600 çështje vetëm një përfundoi në gjykatë dhe aty nuk u dënua askush.

Shabani: Ky është një shqetësim në radhë të parë shqiptar. Ka pasur 2600 çështje që janë raportuar në 2017, në gjykatë përfundoi vetëm një çështje dhe nuk u dënua askush.Ka një mungesë vullneti për të ndëshkuar abuzimet që bëhen me zgjedhjet. Kjo tregon se ai që është në pushtet përpiqet të qëndrojë jo me legjitimitet, jo sepse bind qytetarë, jo sepse e duan qytetarët por sepse u imponohet qytetarëve.Ky është krimi zgjedhor, të manipulosh vullnetin e zgjedhësve duke e korruptuar, duke intimiduar.

Ndryshe nga proceset e kaluara ai thotë se vota do të tjetërsohet para dhe ditën e votimit jo pas 25 prillit.

Shabani: Nuk besoj që votat do të vidhen pas ditës së votimit, gjatë numërimit. Ka ndryshuar struktura e organizimit të KQZ, ka ndryshuar sistemi zgjedhor. Konkurrenca është dhe brenda partive, nëse ja marrin një votë një partie do të zihen brenda kush do ta marrë. Shqetësimi më i madh është korruptimi para ditës së votimit.

I ftuar në Rtv Ora, Shabani tha se ka marrë denoncime nga kandidatë të tij për tentativa të tilla në disa qytete.

Shabani: Po.Në të gjitha qytetet raportohet. Këto janë vepra penale. Në Lezhë na është raportuar, në Shkodër, Vlorë, raste episodike. Nuk e denoncojnë personat që u është ofruar kjo. Ka një marrëdhënie përfitimi mes dy palëve, njëra palë që ofrohet të blejë votën dhe pala tjetër që ofrohet të shesë votën. Denoncimi vjen nga një palë e tretë. Nuk kemi asnjë provë se po ta kishim do ta kishim çuar në prokurori.

Nisma Thurje mban një rekord sa i takon dorëzimit të padivë në SPAK por Shabani thotë se asgjë nuk ka lëvizur.

Shabani: SPAK ka mjaftueshëm çështje për të hetuar, kemi çuar ministrin e Shëndetësisë që sot është kandidat, kryetarin e bashkisë, funksionarë të tjerë të lartë.Për sterilizimin na ka thirrur ta ndihmonim me hetimin, ka kaluar 1 vit e gjysmë dhe nuk kemi dëgjuar më. U thirrëm ne për të dhënë informacion por nuk u thirr personi i paditur. Nuk shoh arsye të çojmë çështje të tjera në SPAK derisa të na japë sinjalin se ato që kemi çuar përpara do të trajtohen. Pa reformim të sistemit të drejtësisë nuk do të kemi shtet ligjor dhe funksional.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana