Humb jetën inxhinieri Ismail Beka nga një sëmundje e rëndë

Është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë, Ismail Beka, një profesionit i vyer i zhvillimit të zonave malore, bujqësisë dhe turizmit dhe bashkëpunëtor i pakursyer i medias ndër vite.

Lajmi është bërë i ditur nga Administrata e Zonave të Mbrojtura, Shkodër përmes një postimi në facebook.

"Me trishtim mësuam për vdekjen e Ismail Bekës, një njeri që i dha shumë Alpeve Shqiptare, sidomos Parkut Kombëtar Theth!

Shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për familjen dhe miqtë!

Qofsh i parajsës, Beka!"

Beka nxiti turizmin malor në Malësinë e Madhe, në zonat e thella Alpeve, Thethit, Valbonës dhe në qarqet, Dibrës dhe Korçës, dhe jugut të vendit.

Në 20 vitet e fundit ai u bë mentor për qindra të rinj që vendosën të ofronin turizmin në fshatrat e braktisur. Turizmi malor dhe sidomos Thethi është i lidhur ngushtë me emrin e Bekës.

 Në 65 vitet e tij në këtë jetë, Beka kishte më shumë se 40 vite karrierë profesionale, pasi studimet e larta i përfundoi për inxhinieri industriale dhe më pas e ushtroi profesionin në segmente të ndryshëm të sektorit të bujqësisë e më vonë në Turizëm deri sa një vit më parë mbushi moshën për pension. Por ai vijoi të ishte aktiv në media dhe konsulenca deri në ditët e fundit të jetës së tij.