Zbardhet vizita virtuale e Palmer: Institucionet dhe udhëheqësit politikë, përgjegjës për zgjedhje të ndershme dhe në kohë

E marta ishte një ditë intensive bisedash virtuale e zv/ndihmësit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mattheë Palmer, me drejtues të politikës shqiptare dhe gazetarë.

Ai komunikoi me presidentin Meta, kryeministrin Rama dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, per zgjedhjet e 25 prillit.

Ambasada e SHBA në Tiranë teksa zbardhi detaje nga bashkëbisedimi u shpreh se  "institucionet dhe udhëheqësit politikë mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë”.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve mbi zgjedhjet dhe kandidatët me probleme, diplomati amerikan mbështeti qëndrimin e ambasadores Yuri Kim.

“Për të indentifikuarit me probleme ne bëjmë kërkimet tona dhe jemi të sigurtë. Listat e kandidatëve nuk janë perfekte. E rëndësishme ajo çfarë ka thënë Yuri Kim. Ata që kandidojnë duhet të jenë të besueshëm. Yuri Kim ka qenë e qartë në deklaratat e saj”.

Për Palmer, reforma në drejtësi ka shënuar progres, por kjo nuk mjafton.

“Ka pasur progres në Shqipëri në reformën në drejtësi, por ka ende shumë punë për të bërë. Ne kemi detyrë të jemi të qartë me Shqipërinë. Ne duam një Shqipëri gati për në BE. Ne duam njerëz me influence të ndëshkohen. Kjo është llogari dhënia. Po ecet në drejtim e duhur. Ne duam progres të shtuar dhe me shembuj në këtë fushë”.

Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit dha opinionin e tij edhe lidhur edhe me pranimin nga ana e Shqipërisë të vaksinave anti-Covid nga Rusia dhe Kina.

“Çdo vend të bëj më të mirë për shëndetin e qytetarëve duke parë çfarë vaksinash janë të sigurta dhe të dhënat që vinë për këto vaksina. Është çështje e Tiranës qeverisë të vendosë për këtë. Ne s’ndërhyjmë në politikën e brendshme të vendeve. Disa vaksina mund të jenë “diplomatike” apo të “dyshimta” tha ai teksa premtoi se SHBA do të mbështesë Shqipërinë të aksesojë vaksina përmes mekanizimit COVAX.”

Në lidhje me lirinë e medias, ku jo pak raporte thonë se Shqipëria ka bërë hapa pas, zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan Shtetit tha se mbetet ende shumë punë për tu bërë në këtë drejtim, jo vetëm në Shqipëri por në gjithë rajonin e Ballkanit.