Sondazhi i katërt i Rtv Ora dhe Noto, Iljazaj: Durrësi dhe Elbasani përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve, opozita ka fituar terren

Antonio Noto dhe Ylldon Media Group sjellin sonte sondazhin e katërt në nivel kombëtar dhe propjeksionin e votës për qarqet Elbasan e Durrës.

Analisti, Ervis Iljazaj, thotë se këto dy qarqe do të jenë përcaktuese të rezultatit zgjedhor në gjithë vendin dhe këtë e lidh me me faktin se ato kanë një elektorat që ndryshon nga zgjedhjet në zgjedhje.

Favorite ai shikon opozitën, që sipas tij kanë fituar terren përgjatë ditë të fundit.

Iljazaj: Dëgjova që ishte rikthimi i sondazhit për Elbasanin dhe Durrësin. Për mua janë dy qarqe të cilat do të vendosin rezultatin e zgjedhjeve dhe vota aty do të jetë shumë e rëndësishme për rezultatin në gjithë Shqipërinë. Elbasani dhe Durrësi kanë një elektorat që ndryshon, ndryshe nga disa qarqe të tjera ku vota është e çimentuar dhe pothuajse e njëjta në disa palë zgjedhje. Janë dy qarqet më të rëndësishme që do të ndikojnë dhe rezultatin e përgjithshëm. A do të kemi ndryshim?

Nuk dua të bëj orakullin por ajo që shoh është se opozita kohët e fundit ka një avantazh në komunikim, në fushatën elektirale. Mesa duket fushata racionale e Lulzim Bashës, fushata e fokusuar te çështjet kryesore që prekin jetën e qytetarëve gjykoj se ka dhënë efekt dhe do të japë efekt. Ajo që shoh ditët e fundit është një rikuperim i terrenit të opozitës sa i përket komunikimit politik të fushatës elektorale. Gjasat dhe mundësitë e ndryshimit ekzistojnë dhe janë të mëdha.

Për Ora News, fushatën që po bën Rama e sheh të vakët. Ai thotë se po ti heqësh vaksinimin dhe anatemimin e aleatëve të Bashës, nuk mbetet asgjë.

Iljazaj: Po ti heqësh fushatën e vaksinimit apo anatemimin ndaj aleatëve të zotit Basha qeverisë praktikisht nuk ka fushatë. E gjithë fushata e qeverisë është e bazuar te vaksinimi dhe te kritika e aleatëve të Bashës. Kritikë e cila në fakt është dhe një kritikë e paprincip. Po të shohësh të gjithë aleatët që ka sot Basha nga Nard Ndoka, Idrizi, Dule, kanë qenë aleatë të zotit Rama. Edhe lufta që bën ndaj LSI është e paprincip sepse ka qeverisur me LSI, ka bërë Ilir Metën President dhe ka marrë dhe ish-ministrat e LSI. Të kritikosh LSI dhe ti marrësh ish-ministrat është një paradoks. Kjo lufta apo krahasimi që bën Rama me kundërshtarët është një krahasim që nuk qëndron.

Beteja është me Lulzim Bashën dhe vetëm këtë e shmang. Fushata e opozitës deri tani është më e fokusuar te çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë qytetarët dhe është një fushatë me etikën më të lartë. Shqiptarët kanë alternativë kur të shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit, nga një anë qeverisje koalicioni Basha me aleatët e tij nga ana tjetër një qeverisje ku pushteti është në dorë të një personi. Nga një anë kemi një lider normal dhe racional nga ana tjetër një lider kontravers apo emocional, nga një anë taksa e sheshtë dhe nga ana tjetër taksa progresive. Kë do të preferojnë mbetet në dorë të tyre.

Në gjykimin e tij, sfida e opozitës është ti nxjerrin njerëzit të votojnë.

Iljazaj: Nëse njerëzit shkojnë të votojnë masivisht unë gjykoj që kjo është një fitore për opozitën. Nëse do të kemi një pjesmëmarrje të vogël në votime kjo shkon në favor të mazhorancës. Por nga të gjitha sondazhet, edhe ai i Notos, tregohet që pjesa e pavendosur është një pjesë e rëndësishme shkon deri në 17%. Kjo do të thotë që të pavendosurit kryesisht ose votojnë opozitën ose nuk votojnë fare.

Marrëdhënia me pushtetin dhe qeverinë krijohet më shpejt.Prandaj pjesëmarrja në votime është shumë e rëndësishme për opozitën sepse të pavendosurit ose nuk shkojnë fare të votojnë ose votojnë për opozitën. Opozita shqiptare ka një terren dhe një hapësirë të rëndësishme, ka një "thes" shumë të madh përpara për të marrë vota akoma.

Sa do ta shfrytëzojë në këto 2 javë që kanë mbetur kjo mbetet në dorë të saj. Por potenciali është shumë i madh që përqindja e opozitës edhe nga sondazhet në ditët në vijim të rritet akoma më shumë sepse ka një potencial të pashfrytëzuar që janë të pavendosurit.

Lidhur me votimin, ai thotë se propaganda për lista të hapura është një mashtrim.

Por referuar edhe fletës zyrtare të votimit, ai thotë se vota preferenciale do të krijojë një lloj hiearkie brenda partive.

Iljazaj: Kjo nuk do ta vështirësojë procesin por do të krijojë një lloj hierakie brenda partive politike, sepse preferencat do të duken dhe atë që ka vendosur kryetari të tetin apo të nëntin në një qark të caktuar, nëse merr më shumë preferenca se i dyti apo  treti do të vendoset një lloj hiearkie brenda partive. Por e gjitha kjo e preferencave dhe listave hapura edhe me vendimin e fundit të fletës së votimit është vazhdimi i mashtrimit ose manipulimit të opinionit publik se listat janë të hapura. Listat nuk janë të hapura, listat janë të hapura me kusht dhe kushti që të përmbyset renditja që kanë vendosur kryetarët është shumë e vështirë. Jam i bindur se listat do të përmbysen në gjithë Shqipërinë në 4-5 raste maksimumi dhe do të vazhdojë të ekzistojnë renditja që kanë vendosur kryetarët.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana