Pogradec/ Lamtumirë "tren", hekurudha jashtë funksionit prej 2013
Orari qëndron në mur prej 8 vitesh, por treni prej 2013 nuk niset.
Suvaja e rëne, karrige në të cilat nuk ulet askush prej kohësh, dhe sinjali që nuk ndizet janë dëshmi se nga stacioni i trenit në Pogradec nuk mund të nisesh për askund.
Organika hekurudhore, nisi me 300 punonjës, ndërsa deri në 2013 kishte 120 të tillë, e pas këtij viti të gjithë dolën të papunë.
Guri Lena ish punonjës, kujton me nostalgji kohën kur shërbente në trenat që nuk ekzistojnë më.
“Në stacionin hekurudhor të Pogradecit nisa punë në mars të vitit 1983. Nëse partitë nuk do të ndërhynin në sistemin e hekurudhës ajo do ishte gjallë akoma”
Shkak për mosfunksionimin linjës, aso kohe u bë amortizimi i hekurudhës dhe mungesa e të ardhurave që sillte transporti me tren.
“Dolën me pretendimin se hekurudha ishte jorentabël dhe nuk mbulonte dot pagat e punonjësve”
Edhe qytetarët e kujtojnë kohën kur udhëtonin me transport hekurudhor, që ishte edhe më i lirë.
“Ishte shumë e mirë. Duhet të hapet sidomos për fukarenjtë” thotë një banor.
Është folur shpesh për një linjë të re treni nga Pogradeci, por që kurrë nuk ka ardhur duke mbetur vetëm premtim.