Rruga dytësore qe lidh dy nga zonat e mbipopulluara të Tiranës, rrezik për banorët

Një nga rrugët dytesore të Kinostudios dhe Freskut, është jashtë funksionit. Banorët thonë se ajo është e rrezikshme për të kaluar, ndërsa përgjatë saj gjen mbeturina të hedhura në shesh, ujra të zeza dhe kabllo elektrike jashtë kabinës.

Siç e shihni dhe në hartën në video, kjo është një prej segmenteve alternative lidhëse mes zonës së Kinostudios dhe asaj te Freskut, por prej vitesh mbetet në gjendje të tillë.

Kalimi është i veshtire edhe për këmbësorët për shkak të ngushtësisë. Relievi malor dhe mungesa e asfaltit sjellin rrrezikun.

"Nuk mbahet mend, ka më shumë se 20 vjet, nuk i bie ndërmend njeriu"- thotë një qytetar.

"U bë ca vite këtu, u bë gati 30 vjet, është baltë, këtu nuk kalon dot. "- thotë një tjetër.

Përgjatë kësaj lagjie kalon dhe një përrua i cili bashkohet me ujërat e zeza. Rreth saj ka vetëm mbeturina ndërsa ura është ndërtuar nga vetë banorët.

"Kutërbon erë të keqe, nuk e kanë mbuluar"- thotë një banor.

Veç mungesës së investimeve në infrastrukturë, fare pranë kësaj rruge ndodhet dhe një kabinë elektirke, telat e së cilës janë jashtë saj. Banorët e kanë gjetur një zgjidhje provizore, por sërish janë të frikësuar nga ndonjë shkëndijë që mund të përcëllojë ata nëse nuk janë të vëmendshëm.