Pas Çapjas, gjykata mbyll në burg edhe rojen, Florenc Çapja iku në Stamboll, masa e sigurisë jepet në mungesë
Gjykata e Elbasanit ka caktuar sot masën e sigurisë “arrest në burg” për Ardi Çekanin, personi që RENEA e kapi teksa bënte roje në hyrjen kryesore të vilës së Ardjan Çapjas.
Vendimi është dhënë paraditen e sotme, pasi ndaj Çekanit është ngritur akuza e “Mbajtjes pa lejë të armëve e municioneve” dhe “Prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike”.
Vendimi për caktimin e arrestit në burg është dhënë nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila një ditë më parë mbylli në burg Ardjan Çapjan, kapon e familjes Çapja në Elbasan.
Po ditën e sotme, gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” në mungesë për nipin e Ardjan Çapjas, Florenc Çapja.
Ky i fundit mundi të largohet nga Shqipëria në datën 16 mars 2021 në drejtim të Stambollit.
Ndërkohë tashmë vendimi i gjykatës i është shpërndarë të gjitha policive partnere, për të kryer lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Florenc dhe Ardjan Çapja akuzohen nga prokuroria e Elbasanit si personat që kanë urdhëruar dhe financuar kundrejt 50 mijë eurove vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në qytetin e Elbasanit, ngjarje kjo e ndodhur në 15 gusht të vitit 2012.
Krimi i rëndë ka ndodhur brenda në banesën e viktimave ndërsa personat që kanë kryer vrasjen kanë qënë pikërisht, Ervis Bardhi dhe Olsi alias Jorgo Leku. Ndërsa në rolin e vëzhguesit sipas prokurorisë së Elbasanit kanë qënë Etien Cani dhe Klajdi Dokoli, ky i fundit mik i familjes Çapja.
Sipas hetimeve Etien Cani dhe Ervis Bardhi, ishin dy njerëzit që hynin dhe dilnin në banesën e Gentian Beqirit, i cili në momentin e vrasjes ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për ngjarjen e vrasjes në 2005 të Sokol Çapjas, vëllait të Ardjan Çapjas.
Ervis Bardhi, ka treguar para prokurorëve se ai ka qëlluar Gentjanin katër herë në kokë me një pistoletë që ja ka dhënë Ardjan Çapja, ndërsa Olsi Leku, ka rrahur dhe më pas ka mbytur me jastëk babain e Gentianit, Nezir Beqirin.
Për këtë ngjarje në vitin 2012 u arrestuan Arben Jaçe dhe Florenc Çapja, por ata pretenduan se ndodheshin në Maqedoni ditën e kryerjes së krimit. Më pas ata u liruan, për mungesë provash.
Ndërsa 8 vite më vonë një gjurmë gishti, e Ervis Bardhit, e gjetur në targën e makinës së përdorur në këtë krim, ka zbuluar gjithçka.