Manastirliu: Sot nis vaksinimi i gazetarëve të terrenit, nesër vijojmë me efektivët
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se sot se do të nisë vaksinimi i gazetarëve të terrenit dhe operatorëve.
Në një deklaratë që ka bërë për mediat, gjatë inspektimit në qendrat e vaksinimit në Berat, Manastirliu, njofton që duke nisur nga dita e nesërme do të nisë edhe vaksinimi i efektivëve.
“Fillojmë vaksinimin e gazetarëve të terrenit. Nga nesër fillojmë vaksinimin e efektivëve të policisë. Fillojmë me Tiranën, pastaj shtrihemi në gjithë Shqipërinë. Ne po ndjekim planin e vaksinimit të kombinuar. Pra në grupet e riskut ku futen dhe ata të shërbimeve kritike, siç janë policët dhe nga sot në drekë me gazetarët dhe operatorët e terrenit”, tha Manastirliu.
Sakaq, Kryeminstri Edi Rama, ka folur në lidhje me vdekjen e 76-vjeçares, një ditë pasi mori vaksiën kineze, duke thënë se kjo e fundit është e sigurtë dhe e suksesshme. Ai shton se vaksina kineze 'Coronavac' po përdoret nga të gjitha kurorat mbretërore të vendeve të Lindjes së Mesme.
“Të mos bjerë askush viktimë e kukuvajkave. Vaksina kineze është super e suksesshme, është vaksina që kanë preferuar vendet e pasura të Lindjes së Mesme dhe gjithë kurorat mbretërore të asaj zone kanë marrë këtë vaksinë. Fakti që nuk ka hyrë në BE nuk ka lidhje me eficencën e vaksinës, por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër, që ne nuk na interesojnë. Neve na intereson të nxjerrim urgjent nga tuneli popullin shqiptar dhe të nxjerrim sa më shpejt nga gjithë kjo kohë e gjatë ankthi e pasigurie gjyshërit e gjyshet, ata me sëmundje kronike, e gjithë popullsinë. Nesër fillojmë me policët, do të bëjmë sic është plani edhe për gazetarët. Po bëjmë gati edhe shërbimet hoteliere për sezonin turistik, si dhe për të gjithë punonjësit e fabrikave”, tha Rama.