Ju kapën 49 kg kokainë në kontejner, lihet në burg babai i Arbër Çekaj, avokati: Përgjegjësi e shitësit nga Ekuadori

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg, Selim Çekajn,  babain e Arbër Çekaj, të cilit policia i sekuestroi një ditë më parë 49 kilogramë kokainë në kontejnerin e firmës së tij “Ecoalmax”.

Masa e sigurisë "arrest me burg" për 72-vjeçarin u dha nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, ndërsa prokurore e çështjes ishte Enkeleda Xhengo.

Në mbyllje të seancës avokati i Çekajt  tha se vendimi për klientin e tij është i paligjshëm dhe se përgjegjësinë për kontejnerin deri në futjen e tij brenda magazinës së Çekajt e mban shitësi nga Ekuadori.


Reagon dhe Arbër Çekaj për arrestimin e babait: Po masakrohet e gjithë familja ime, po na trajtoni si kulakë

"Një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm.Midis Selim Çekajt dhe kompanisë nga Ekuadori ka një kontratë e cila në mënyrë eksplicite shkruan se përgjegjësinë për kontejnerin nga Ekuadori deri në futjen brenda në magazinë e mban shitësi.

Në një nen tjetër të kontratës thuhet se pritësi i mallit, blerësi ka të drejtë të kontaktojë me kontejnerin vetëm kur futet në magazinë  dhe vetëm atëherë ka të drejtë ta hapë për të parë sasinë dhe cilësinë e mallit dhe asnjë përgjegjësi tjetër nuk mban.

Nuk ka asnjë provë që ky njeri të marrë me atë porosi të kontejnerit, të ketë një telefonatë. Njeri i nderuar gjithë jetën, 72 vjeç, nuk di as anglisht, as spanjisht, as kompjuter. Si u lidh ai me trafikantët e Amerikës Latine?! Çfarë pagese bëri, me kë njerëz kontaktoi? Ai kontejner ka dy muaj që vërtitet nga Ekuadori, në Marok, Turqi dhe Greqi dhe më së fundi vjen në Shqipëri.

Selim Çekaj e ka futur atë? Ju e dini çfarë pajisjesh u deshën për ta hapur kontejnerin në port, ndërkohë në magazinë nuk u gjet asnjë vegël me të cilën do ta hapte. Është një marrëzi po këta janë gjyqtarë pa  dinjitet profesional dhe moral, nuk mund ti vësh gishtin një plaku me 100 sëmundje, i dhamë dhe raportet, mbi 12 ilaçe përdor në ditë, këta nuk kanë as humanizëm, lëre për drejtësi që nuk bëhet fjalë fare.

Lexo edhe-49 kg kokainë në port me kontejnierë bananesh nga Ekuadori, pranga babait të Arbër Çekajt

Është një vendim skandaloz, jemi të bindur që ky është një aktivitetet kriminal që luhet diku tjetër dhe është piketuar një kompani e pambrojtur, nga mafia ndërkombëtare, për ti hedhur ushqim shtetit për të kapur një sasi narkotikësh dhe për ti hapur rrugën ndoshta sasive të tjera që mund të vijnë nga kompani të tjera në rrugë të tjera. Nuk ka asnjë provë kundër tij, zero".

Sasia prej 49 kg kokainë u gjet e fshehur në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i Guayaquil në Ekuador me destinacion final Shqipërinë.

Burimet pranë policisë bëjnë me dije se kokaina nuk ishte brenda arkave të bananeve, por ishte fshehur në kolonat anësore të konteinerit.

Nga pyetjet paraprake nga ana e policisë, Selim Çekaj mohoi të këtë lidhje me drogën e gjetur brenda kontenierëve të firmës së tij.

Ai tha se është vetem tregtar frutash dhe priste vetëm ngarkesën me banane, ndaj edhe ka kërkuar identifikimin e personave të tjerë që sipas tij janë të përfshirë me ngarkesën me kokainë.

Selim Çekaj 72 vjeç është person pa precedent penal, disponon kompanine “Ecoalmax” me qendër në Maminas.

Ai e ka regjistruar këtë firmë në mars të 2018, një muaj pas zbulimit të kokainës së të birit dhe e ka ende aktive.

I biri Arbër Çekaj, administrator i firmës “Arbri Garden” është dënuar për kokainën e kapur në shkurt të 2018-ës me 14 vite burg nga Gjykata e Posaçme.

Lexo edhe-Kamioni me drogë nga Ekuadori ishte ndalur në Turqi, si ra në prangat e policisë babai i Arbër Çekajt