Anglia teston në FA Cup, 4 mijë tifozë në stadium
Drita jeshile e dhënë nga qeveria për lehtësimin e masave në Angli ka shtyrë Federatën e Futbollit të testojë edhe rikthimin e tifozëve në stadiume. Prania e tyre në impiante do të bëhet gradualisht dhe fillimisht në FA Cup në gjysmëfinalen mes Leicester dhe Southampton dhe kjo do të shërbejë si prove për të kuptuar sesa tifozë duhet të lejohen në stadium në muajt në vazhdim.
Siç mësohet nga shtypi anglez, në gjysmëfinalen që do të luhet në Wembley më 18 prill do të mundësohet futja e 4 mijë personave në shkallët e stadiumit dhe nuk do të jenë tifozë nga të dyja skuadrat por vetëm banorë rezidentë të zones rreth stadiumit mitik.
Ky test do t’I shërbejë FA të marrë të dhëna të mjaftueshme për t’u bërë gati për finalen e FA Cup më 15 maj ku pritet të lejohen deri në 10 mijë tifozë në Wembley ndërsa më 21 Qershor, sipas edhe masave që parashikon qeveria angleze, në stadium do të rikthehet normaliteti dhe mund të mbushen plotësisht.
Jo më kot Anglia ka paraqitur kërkesën për të zhvilluar Kampionatin Europian pasi mund të lejojë mbushjen totale të impianteve në muajin Korrik kur pritet të startojë eventi i madh.