Gjimshiti për Ora News: Me Poloninë dhe Hungarinë do të shihen vlerat tona
Një tjetër protagonist i kombëtares në 3 ndeshjet eliminatore, Berat Gjimshiti foli eskluzivisht për Ora News dhe gazetaren Albana Bejko. Si një ndër lojtarët më të rëndësishëm kuqezi, mbrojtësi i Atalantës pranoi vështirësitë e skuadrës në fraksionin e parë të lojës në San Marino.
“Pjesa e parë mendoj se ishte e vështirë, jo sepse na e bëri të vështirë skuadra kundërshtare por vet nuk arritëm të krijojmë raste. Në pjesën e dytë, ishte shumë më ndryshe dhe në fund kanë rëndësi 3 pikët.”
Për Gjimshitin, gjetja e golit nga kuqezinjtë erdhi edhe si rezultat i ndryshimeve në formacion dhe skemës me 3 sulmues që aplikoi trajneri Edy Reja.
“Besoj që taktikisht, trajneri ndryshoi, luajtëm me 3 sulmues, që shkonte shumë më mire besoj. Kishim më shumë hapësira sepse ata mbuloheshin më mirë në fillim. Pastaj besoj se krijuam shumë raste dhe kemi mundur të bëjmë edhe më shumë gola.”
Berat Gjimshiti në mënyrë të padiskutuar ishte ndër më të mirët e kuqezinjve por vet lojtari zgjedh më të paraqitjen më të mire në aspektin individual.
“Besoj se individualisht besoj se me Anglinë, edhe pse kam bërë disa gabime, ishte ndeshja më e mire sepse në ndeshjet me Andorrën dhe San marinon nuk kam patur shumë punë në rolin difensiv. Peng për këto 3 ndeshje? Peng ka gjithmonë për t’u përmirësuar kur nuk e arrin kurrë majën, kur nuk ecën më përpara. Janë gjëra për t’u pëmirësuar dhe do të punojmë për të vijuar t’I përmirësojmë.”
Në fund, mbrojtësi kuqezi bën bilancin e 3 sfidave të para dhe vendos objektivin për ato të ardhshmet në shtator.
“Në këto tre ndeshjet, sigurisht ishin dy që duhet të fitoheshin me Andorrën dhe San Marinon, ndërsa me Anglinë ishte pak më e vështirë. Po prapë besoj që me këto ndeshjet e ardhshme me Poloninë dhe Hungarinë do të shikojmë të marrim maksimumin sepse aty do të shihet vlera e Shqipërisë.”