Reja: Doja më shumë gola, zëvendësimet ndryshuan lojën

Edy Reja u shpreh I kënaqur për fitoren ndaj San Marinos duke I dhënë kuqezinvje 3 pikë të tjera por në reagimin pas ndeshjes, trajneri Italian e pranoi që ekipi kishte vështirësi në lojë.

“Sigurisht e kishim për detyrë të fitonim. Patëm shumë raste. Donim të fitonim 4-0, 5-0. E rëndësishme është që morëm 3 pikët. Por kur luan 3 ndeshje brenda pak ditëve, ekipi ndjek lodhje sigurisht. Provuam disa lëvizje më vertikale me Uzunin dhe Roshin. Skuadra u përpoq të reagonte. Krijuam më shumë mundësi dhe arritëm të shënonim golin, duke marrë 3 pikë”

Lidhur me formacionin dhe zëvendësimet, Reja tha se skema është e duhur 3-5-2 por në shumë raste duhen disa vlerësime të lojës në varësi të kundërshtarit duke paralajmëruar se mund ta ndryshojë modulin e tij.

“Luajtëm me 3 mbrojtësa, por Lenjani dhe Hysaj më shumë u morën me fazën ofensive se me atë mbrojtëse. Doja të luaja me 4-4-2, të zhvendosja Lenjanin më përpara. Të dy lojtarët e krahëve krijuan shumë raste. Pjesën e parë nuk jam i kënaqur, sepse bëmë pak gjuajtje në portë, në pjesën e dytë, krijuam më shumë mundësi, deri sa dolëm te goli. E kemi shumë të vështirë, me skuadra të tilla që tërhiqen shumë mbrapa, kjo më bën të reflektoj edhe për skema të tjera. Do më pëlqente dhe mua të kishim shënuar më shumë gola dhe të kishim luajtur ndryshe”, përfundoi trajneri kuqezi.