FSHF dënon ashpër dhunën: Të arrestohen autorët
Pamjet e sherrit në ndeshjen e kampionatit U19, Football Republic-Teuta kanë lënë shije të keqe për çdo sportdashës, çka ka rikthyer skena të shëmtuara për futbollin shqiptar. Ndërkohë nuk ka vonuar reagimi nga Federata Shqiptare e Futbollit e cila ka dënuar ashpër ngjarjen e shëmtuar teksa ka kërkuar masa tejet të rrepta për autorët e ngjarjes, deri në arrestimin e tyre. Pa llogaritur që Komisioni I Displinës I FSHF do të dënojë edhe nga ana sportive autorët e skenave të dhunshme.
Më poshtë reagimi I plotë nga Federata e Futbollit:
Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur sot në ndeshjen Football Republic-Teuta, e vlefshme për Grupin B të Kategorisë Superiore U-19.
“FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar autorët e ngjarjes së rëndë dhe kërkon nxjerrjen e tyre para gjykatës, bazuar në Kodin e ri Penal.
Dëshirojmë të theksojmë se në shume raste Policia e Shtetit nuk ka vepruar në kohë dhe autorët e ngjarjeve të mëparshme ndodhen ende të lirë.
Një thirrje shkon dhe për sistemin gjyqësor në Shqipëri, që duhet të zbatojë me rigorozitet Kodin Penal, i cili ruan shenjtërinë e fushës së blertë.
FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e lojës më të dashur të shqiptarëve nga sjelljet e turpshme të disa prindërve dhe autoriteve që nuk reagojnë në kohë.”