Lajme të mira për Interin nga Covidi dhe financat

Kur të vjen e mira, hapi vetëm derën thonë. Te Interi ka shumë arsye për të qenë tepër optimist si nga ana financiare ashtu edhe ajo sportive dhe për Conten gjërat po shtrohen drejt titullit.

Para ndeshjeve eliminatore të kombëtareve zikaltërit u goditën nga Covid-19 dhe tani nga 4 lojtarë të infektuar ka mbetur vetëm 1, që është Danilo D’Ambrosio. Ditë më parë ishte kapiteni Handanoviç e më pas Vecino që u shëruan ndërsa tani sipas klubit edhe Stefan De Vrij ka arritur ta mposhtë dhe të jetë negative në analiza. Edhe pse i sapo shëruar, mbrojtësi nuk do të jetë gati ndaj Bolognas në fundjavë por tre të tjerët e shëruar më parë do të zbresin në fushë.

Krahas koronavirusit, një tjetër lajm i mirë për Interin vjen edhe nga Suning, kompania kineze që zotëron aksionet e klubit dhe siç bëhet e ditur, pronari Steven Zhang do të marrë një financim nga një fond amerikan afro 240 mln Euro për të mbyllur normalisht vitin dhe përgatitjet për sezonin e ardhshëm.

Gjithsesi gjasat janë që në verë të qartësohet edhe çështja e pronësisë, ku Suning mund të shesë disa aksione gradualisht deri në shitjen përfundimtare por më kryesorja, në asnjë moment të mos mungojë mbëshetja financiare per Interin që po shkon këtë vit te rikthimi te titulli pas 10 vjetësh.