Luis Enrique u vonua për Kosovën, mbeti në ashensor

Aventurë aspak e këndshme për Luis Enriquen përpara ndeshjes me Kosovën. Madje trajneri spanjoll rrezikoi të mos e drejtonte “La Rojan” për sfidën me dardanët pasi ka mbetur i bllokuar për afro 60 minuta në ashensor bashkë me 6 anëtarë të stafit teknik të kombëtares.

Siç mësohet nga mediat spanjolle, trajneri ishte bashkë me stafin duke u bërë gati për të zbritur dhe për t’u bashkuar me skuadrën në autobus kur një defekt në ashensor i bllokoi ato jo pak por një orë.

Ndoshta qëndrimi gjatë në ashensor ka ndihmuar Luis Enriquen të gjejë skemat e nevojshme bashkë me bashkëpunëtorët e tij për të mposhtur Kosovën teksa pas një orë, punonjësit e hotelit kanë arritur të rregullojnë defektin.

Federata i vuri në dispozicion një makinë private për t’i dërguar trajnerin dhe anëtarët e stafit në stadiumin “La Cartuja” dhe për fat arriti edhe pse me pak vonesë pasi skuadrat kishin zbritur në fushë.