Shqipëria me dy fytyra, merr 3 pikë të vështira në San Marino
Misioni për 6 pikë ndaj Andorrës dhe San Marinos u arrit për Shqipërinë por loja e shfaqur nga skuadra në këto 3 ndeshje të para eliminatore të Botërorit lë shumë për të dëshiruar.
U konfirmua edhe në mbrëmjen e sotme ky fakt ku ndaj një rivali si San Marino ekipi kombëtar çaloi në lojë sidomos në pjesën e parë ku nuk bëri asgjë përveçse dy rasteve sporadike nga Hysaj dhe Laçi.
Reja bën menjëherë ndryshime në pjesën e dytë duke hedhur në fushë Roshin dhe Uzunin në vend të Brojës dhe Laçit dhe gjithçka ndryshoi për më mire.
Uzuni dha menjëherë sinjale ndërsa Manaj humbi 2 raste për ta korrigjuar shënjestrën në minutën e 63 ku me kokë pas një krosimi nga e djathta e çoi topin në rrjetë.
1-0 për Shqipërinë që çlirohet edhe psikologjikisht për të marrë frenat e lojës në dorë edhe me raste më të pastra.
Fillimisht ishte shtylla e Hysajt ndërsa Uzuni dhe Roshi paten shanse për të dyfishuar.
Goli që I jep vulën fitores vjen në minutën e 85 ku filimisht mendohej si gol I Veselit por Uzuni dha prekjen e fundit. 2-0 dhe për Shqipërinë 3 pikë të tjera duke u ngjitur në renditje në vendin e tretë me 6 pikë.
Jo keq si fillim por loja ende duhet përmirësuar nga Edi Reja.