Duka në Arena: Kriminelët po vërsulen për të marrë vota për PS-në
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste denoncoi në emisionin “Arena” se persona me rekorde kriminale janë përfshirë në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit duke mbështetur dhe mbledhur vota për Partinë Socialiste.
"Subjekte të OFL-së të asaj që bëri Edi Rama sot janë të lirë edhe po vërsulen për të marrë vota për PS-në në ato zonat e influencës që kanë ata. Unë personalisht, po edhe këto të opozitës do mbledhim prova dhe në rast se ata do vazhdojnë të bëhen gjëra të tilla do t'i denoncojmë," tha ai.
Duka flet për një klimë të tensionuar politike dhe si tregues përmend incidentin në Elbasan dhe përplasjen e Presidentit Meta në zyrat e FRD.
"Ajo ngjarje mund të çojë në një tjetër sepse faktikisht mu duk shumë tendecioze heqja e asaj zyrës me ato argumentet që bashkia ka 4 vjet që bredh sa andej këtej, duan zyra edhe 1 muaj e gjysmë para zgjedhjeve i vjen në mendje të na përzejë edhe ne," thotë ai.
Në Arena gazetarët Kikia, Dyrnjaja dhe Çipa diskutuan mbi listat e kandidatëve të partive politike si dhe përfshirjen në to të personave problematik me ligjin.
"Ky është një problem serioz dhe prandaj në këtë kontekst e shikoj dhe lëvizjen e ambasadores të rëndësishme për sa i përket ndikimit, zonjës Yuri Kim që ka shkuar në takim me Spak-un," tha Çipa.
"Edhe personi të cilit ne kemi targetin t'i referohemi personalisht z.Doshi pasi ambasada e ka referuar nominalisht nuk bie ndesh me ligjin sepse jo çdo kush që ka kryer një vepër penale, jo çdokush që është i korruptuar është penalizuar," tha Kikia.
"Duke fillua që nga kryeministri edhe kryetari i opozitës, që nga ish-presidenti tek Presidenti sot. I bie që ta pastrojmë gjithë politikën sot dhe jemi dakord," tha Dyrnjaja.
Kryetari i PAA u ndal edhe në situatën e pandemisë ku hodhi akuza ndaj spitaleve private në vend se po abuzojnë me çmimet e larta dhe të papërballueshme për pacientët e infektuar me covid.