Smog, trafik, shkatërrim nervash/ Vijon kaosi me trafikun në Tiranë. Nuk shpëton as Fresku
Qarkullimi në Tiranë bëhet çdo ditë e më tepër një makth që po i merr frymën kryeqytetit, në veçanti shoferëve dhe përdoruesve të transportit publik.
Rrugët e bllokuara nuk janë më një fenomen i ri, ndërsa problemet me trafikun kanë arritur në nivele si asnjëherë më parë.
Tirana është një qytet ku densiteti i popullsisë është rritur ndjeshëm, ndërsa shumë projekte të zhvillimit urban kanë zënë rrugët, trotuarët dhe hapësirat publike në përgjithësi.
Nga ana tjetër, sistemi i varfër i transportit publik kanë bërë të nevojshme lëvizjet me makinë në pjesën më të madhe të kohës.
Ndërhyrjet e bashkisë, të reklamuara si efektive në lehtësimin e trafikut, po bëjnë krejt të kundërtën.
Lexo edhe: Makthi i parkimit në Tiranë, ekspertët: Strategjia e ngushtimit të rrugëve e gabuar për trafikun
Me një zgjerim të paprecedent, Tirana është kthyer në një betoniere masive ku kudo ndërtohet dhe vetëm ndërtohet, ndërsa askush nuk merr përsipër të zgjidhë çështjen e trafikut apo rregullimin e transportit public.
Kësaj situate nuk i shpëton as zona e Freskut.
Siç shihet në videon e mësipërme, trafiku gjatë gjithë kohës është i rënduar sa shpeshherë e bën të pamundur edhe lëvizjen e automjeteve të emerngjecave. Një nga zonat e kryeqytetit, që është njohur si një nga më të pastrat nga pikëpamja mjedisore, për shkak të afërsisë me Parkun Kombëtar të Dajtit, po bëhet një tjetër gangrenë për qytetarët.
Ndotja e ajrit
Trafiku shqetësues i Tiranës jo vetëm që të harxhon shumë kohë dhe para, por është bërë dhe kontribuesi më i madh në ndotjen e ajrit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ajri i ndotur shkakton rreth 1,900 vdekje në vit.
Ndërkohë sipas një studimi të kryer vitin e shkuar, në qytetin e Tiranës, përqendrimi i dioksidit të karbonit ka qenë dyfish mbi vlerën standarde të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë vijon propagandën me pyje orbitale, qytetarët vijojnë të thithin çdo ditë ajrin kancerogjen...
Lexo edhe: Tirana vendi ku i sëmuri pret rradhë në autoambulancë për të shkuar në spital!