Kryebashkiaku harron pritjet me banorët/ Gjyshet i zënë derën Veliajt, njëra me dy fëmijë jetimë dhe tjetra pa strehë
Fushata e 25 prillit ka bërë që në bashkinë e tiranës pak kush të pres familjarët që kërkojnë ndihmë. Dy prej tyre kanë pritur këtë mëngjes me shpresën se mund të takonin Veliajn, por edhe këtë rradhë pranë institucionit mbërriti makina bosh.
Pranë derës së bashkisë së Tiranës nuk është e vështirë të gjesh familjarë që kërkojnë mbështetje nga i zgjedhuri në krye të qytetit.
"Unë jam një gjyshe, kam marrë me gjyq dy fëmijë, nëna u ka vdekur prej 2 vite e gjysmë, babai është te 5 i shtruar. Shkova dje për dritat më thanë ke 250 dhe 147. Unë kam ardhur te Erion Veliaj se thotë jam rritur pa baba, dy fëmijët e mi as nënë dhe as baba. Kam dokumentat këtu."
"Unë pres Erion Veliajn, kam një muaj këtu. Jam me bonus qiraje, para dy viteve e kam takuar Erion Veliajn dhe më tha do të aplikosh për shtëpi. Ju dha detyra atyre zonjave, kurse ato zonjat më thanë është llaf rruge dhe nuk është llaf zyre."
Këto dy nëna janë para derës së institucionit qendror të kryeqytetit me shpresën se do të mund të takojnë kryebashkiakun Erion Veliaj.
Jeta thonë se nuk ka qenë e lehtë për to, por shprehen se janë deklaratat e Kryebashkiakut që i kanë bërë ta shohin si shpresë.
"Ju lutem me ndihmoni Bashkia, nuk keni ardhur ku jetojnë dy fëmijë jetimë, u bie gëlqerja mbi kokë.Ju lutem të vini se i kam kyçur brenda, i kam lënë vetëm. Të shkoj me gazetarët dhe të shikojë ku janë dy fëmijët e mi."
"I lutem kryetarit të më ndihmojë, të më japë një shtëpi sociale, nuk e gjej dot."
Por sërish makina e Veliajt mbërrin pa Kryebashkiakun.
Problemi ka vetëm dy emra, varfëri dhe shëndet i dobët.
"Këtu kam pritur një muaj, makina vjen njëherë këtej, njëherë andej. Ndaloi një ditë aty, i thirra dhe nuk mu përgjigj."
Përmes lotëve shprehin vështirësitë në sigurimin e ushqimit, por dhe në të përditshmen e tyre.
"I lutem Erion Veliaj, ti u rrite pa baba por u rrite me nënë. Dy fëmijë janë, as nënë dhe as baba. I kam kyçur brenda, u kam lënë nga një çokollatë se nuk kam çfarë tu jap. Kur vajta për ujë dhe drita thashë pse nuk më mori korona se nuk i paguaj dot."