"Çyrbe, Ndrazha, Rrahman Rraja..", Basha sulmon listat e PS-së: Kudo duket dora e krimit dhe bandave, lista e PD-së fituese

Listën e Partisë Socialiste kryedemokrati Basha e konsideron si fasadë për të mbuluar emrat problematik. Madje ai thekson se në Rama po hyn në garë me hajdutë dhe kriminelë.

Vetëm dy orë pas konferencës së Edi Ramës, kryetari i PD-së Lulzim Basha i ka bërë një pasqyrë emrave problematik të listës së kandidatëve të Partisë Socialiste.

Madje përballë mediave ai nuk nguron ti përmendë me emra.

https://youtu.be/BQNf97ndGSU

Lulzim Basha: Natyrisht nuk do të jetë një betejë e lehtë jo vetëm në faktin se qeveria në ikje dhe kryeministri në ikje e kanë vënë bastin te njerëzit pa integritet, te njerëzit të cilët edhe në kohë pandemie kanë vjedhur bukën e fëmijëve me tendera sekretë, te ata që duhet të ishin sot para SPAK për vjedhjen e votave, te ata që kanë vjedhur paratë e rindërtimit të cilët fshihen pas një fasade të rreme që Edi Rama e ka ngritur duke abuzuar me figura të ndryshme pas të cilave fshihen këta njerëz: Arben Ahmetajt, Damian Gjiknurët, Olta Xhaxhçkat dhe vetë kryeproblemi pa largimin e  të cilit nuk ka ndryshim, pa largimin e Edi Ramës nuk ka ndryshim. Lista e tij është një fasadë pas të cilës janë këta njerëz. Nuk ka të ardhme me Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij që kanë grabitur qindarkat e fundit të çdo shqiptari. Diku edhe nuk i ka shpëtuar dot mundësisë për të ngritur një fasadë, kudo duket dora e krimit dhe bandave. Majfton të shohim qarkun e Durrësit, kandidatin e Avdylajve, Çyrben e famshme të përgjimeve të Bild, Ndrazhen, Rrahman Rrajën, emër i njohur ndërkombëtarisht për atë që përfaqëson. Kjo është Shqipëria e të ardhmes? Tetë vjet në pushtet kjo ka qenë oferta e Edi Ramës.

Listën e Partisë Socialiste e cilëson fasadë teksa akuzon liderin e saj se po kandidon kriminelë dhe hajdutë.

Është i bindur për fitoren e 25 prillit por këmbënguljes së gazetarëve për objektivin që synon nuk iu përgjigj me numra.

Një përgjigje të drejtpërdrejtë nuk pati as për pyetjen se a do të largohet nga politika nëse fiton sërish Edi Rama, në vend të saj kishte një thirrje për çdo votues.

Lexo edhe: Basha, Berisha dhe aleatët, PD “blindon” Tiranën. Lista e plotë për të gjitha qarqet

Kandidatët e përzgjedhur në listën e Partisë Demokratike thotë se janë persona me integritet të lartë teksa la të nënkuptohet se ka pasur pakënaqësi nga ata që nuk renditen në zonë të sigurt.

Lulzim Basha: Bashkë për ndryshimin dhe bashkë për fitoren, ky ka qenë motivi dhe kjo është e vërteta që përshkon listën e PD në çdo qark. Problemet e vendit janë shumë të mëdha dhe një nga të këqiat më të tmerrshme ka qenë vrasja e shpresës dhe  besimit te politika.Me 25 prill ndryshimi që po vjen nuk ka thjesht formën dhe fytyrën e ekipit të kandidatëve për deputetë por të qindra shqiptarëve që kanë kthyer shpresën.

Lulzim Basha garantoi se nëse qeveria e tij nuk i përmbush premtimet ai nuk do të kërkojë një mandat të dytë qeverisës.

https://youtu.be/KeDHBwIg5qI