Pandemia tkurr me 32.9 miliardë të ardhurat në buxhetin e shtetit

Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë tkurrur me 32.9 miliardë lekë si pasojë e efekteve të pandemisë në vend.

Sipas publikimit të Ministrisë së Financave për ecurinë e treguesve fiskalë gjatë kësaj periudhe të ardhurat totale u realizuan në masën 335.9 miliardë lekë nga 344.9 që ishin parashikuar.

Reduktim i ndjeshëm u shënua nga të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat me një rënie prej 32.9 miliardë lekësh krahasuar me 10-mujorin e vitit 2019.

Për periudhën janar-nëntor tatimet dhe doganat kanë arkëtuar 9 miliardë më pak se plani vjetor.

Nga ana tjetër shpenzimet në këtë 10 mujor kanë shënuar një rritje prej rreth 5.5% krahasuar me një vit më parë ose 23.4 miliardë lekë më shumë.

Përgjatë kësaj periudhe bëhet e ditur se shpenzimet kanë arritur në 455.6 miliardë lekë.

Rënia e të ardhurave si pasojë e pandemisë së koronavirusit dhe rritja e shpenzimeve për përballimin e krizës e ka çuar deficitin buxhetor në 72.7 miliardë lekë.

Megjithatë, referuar të dhënave të Ministrisë rezulton rreth 48 miliardë më i ulët se parashikimi prej 120.7 miliardë lekësh.