“Nuk e largoj Veliun as për 500 mijë protestues”, Vasili kujton fjalët e Ramës në opozitë: Krimi shtetëror nuk ka alibi
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat i është kundërpërgjigjur kryeministrit Rama, i cili nuk pranoi edhe njëherë tjetër për të shkarkuar drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Vasili ka preferuar të kujtojë edhe njëherë fjalët e Ramës gjatë kohës që ishte opozitar, ku thonte se nëse një polic europian qëllon për vdekje dikë, duhet ristrukturim i forcave të rendit.
“Ju sot dëgjuat që Kryeministri me gojën plot thotë që edhe sikur 500 mijë shqiptarë të dilnin, unë nuk e shkarkoj drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Por çfarë thotë ky njeri, kur është në opozitë, ky mashtrues dhe ky demagog? Po ua citoj fjalë për fjalë, pa lëvizur presjen, Edi Rama kur ishte në opozitë: “Në rast se një polic europian hap zjarr për të shpëtuar jetën e vet, e i merr jetën një të riu europian, dorëhiqet automatikisht ministri i brendshëm, shkarkohet prefekti, zhvishet komisari dhe polici përfundon pas hekurave. Kryeministri europian vërtetë dënon moralisht, dhunon dhe kërkon publikisht që drejtësia të ndëshkojë shkelësit e ligjit, por edhe i kërkon ndjesë popullit të vet për fatkeqësinë e premton ristrukturim të forcave të rendit.” Edi Rama në opozitë u kërkon të tjerëve shkarkimin e të gjithë kupolës dhe ristrukturim, kurse Edi Rama në pushte edhe 500 mijë vetë po të dalin, nuk e shkarkojnë dot drejtorin”, ka thënë Vasili.
Ish-deputeti ka vijuar më tej, ku thekson se drejtësia të do vendoset në vend dhe se do të dalë e vërteta.
“Secili është sovran në zgjedhjen e tij, në shprehjen e vullnetit, në votën e tij, por asnjë shqiptar nuk thotë dot dhe nuk ka mundësi të thotë dot, që nuk ka përpara një mashtrues, një të inkriminuar dhe një njeri të bërë njësh me krimin shtetëror. Pasi, këto citime që u thashë çfarë thotë ky në opozitë e çfarë bën ky në maxhorancë, do të thotë që ky vetëm i mashtron e i poshtëron shqiptarët, e nuk preket që edhe t’i vrasë ata.
Krimi shtetëror nuk ka alibi. Drejtësia sot, a pak orë më pas, a pak ditë më pas, a pak javë më pas, është e pamundur të mos dalë. Të tërë ata që kanë iluzionin që do të fshihen pas potureve apo panolinave të Edi Ramës, gabojnë rëndë dhe vetëm rëndojnë shumë e më shumë pozitën e tyre. Drejtësia vonon, por nuk harron!”