“Zemëratë ndaj policit apo akumulim i një revolte kundër qeverisë?”, ja çfarë thotë Rama për protestat e ditëve të fundit
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një konferencë me gazetarët, ku ka dhënë edhe komentin e tij në lidhje me protesta e dhunshme që kanë shpërthyer ditët e fundit në vend pas vrasjes së Klodian Rashës nga një efektiv policie.
Rama ka cilësuar si fatkeqësi faktin që analistë dhe opinionistë kanë mbajtur një qëndrim pozitiv ndaj protestave, ndërkohë që është shprehur se duhet të alarmohemi për faktin që janë përdorur të miturit.
Rama: Mendoj që është fatkeqësi e madhe që njerëz me eksperiencë, me prani publike, përgjegjësi publike si ata që ashtuquhen analistë apo opinionistë, që shfaqen nëpër ekranet tuaja apo shpehin opinionet e tyre në portale, janë kaq të pandjeshëm, kaq të ndërkryer ndaj qeverisë dhe kaq të mbushur me një ndjenjë hakmarrje për 1001 arsyet e tyre, sa që të mos e ndrenë zërin për një fakt të trishtueshëm që është shfaqur në Shqipëri, për faktin e abuzimit me të miturit. Ta interpretosh abuzimin me të miturit si shëmbëlltyrën e një revolte,si një shembull për tu marrë për vandalizmat, do të thotë që vërtetë duhet të jemi alarmuar.
Jo unë si kryeministër,se nuk flas fare për qeverinë. Qeveritë dhe kryeministrat shkojnë dhe vijnë, por në fund të ditës askush nuk lind dhe nuk vdes kryeministër. Para dhe pasi ke qenë kryeministër je qytetar i këtij vendi, je prind në këtë vend, je pasues i të tjerëve që kanë qenë para teje si banorë të këtij vendi dhe të tjerë pas teje do të vijnë.
Është përtej skandalozes, është një turp i pashoq, të shikosh njerëz që mund të kenë të gjithë arsyet e tyre për të pasur të gjithë angazhimin e tyre kundër meje e qeverisë, por që të arrijnë në këtë pikë dhe të riabuzojnë të miturit duke i përdorur si argument për të vazhduar të pikturojnë një panorme të një revolucioni latente që kanë kohë që e nxisin dhe e presin, është rënie në një nivel që nga pikëpamja humane është katastrofë. Nuk gjej fjalët për të arsyetur analistë që predikojnë dhunën, komentatorë që relativizojnë vandalizmin, opinionistët që analizojnë dobinë e dhunimit të revoltës publike.