Bilanci i 6 ditëve protestë në Tiranë, 93 të arrestuar, 314 të proceduar
Në gjashtë ditë protestë numri i të proceduarve në gjendje të lirë ka shkuar në 314 persona ndërsa 93 protestues janë prangosur për të dalë më pas në gjykatë për masë sigurie.
Mbi të arrestuarit janë ngritur disa akuza që nga shkatërrimi i pronës deri te kundërshtimi me dhunë i punonjësve të policisë, që rrezikojnë dënime deri në 5 vite burg.
Në shumë raste prokuroria ka kërkuar vendosjen e masës “arrest me burg” duke patur parasysh provat e servirura nga policia, që janë kryesisht raportet e shërbimit si dhe fotot e videot nga protesta.
Për të miturit, të cilët kanë qenë të shumtë në numër në të gjitha rastet është gjykata me kërkesë të prokurorisë ka vendosur si masë “detyrim për tu paraqitur” ndërsa ta pakët kanë qenë protestuesit e arrestuar, për të cilët është vendosur të qëndrojnë pa afat në burg.
Në Gjykatën e Tiranës kanë dalë për katër ditë 87 të arrestuar nga të cilët 46 janë liruar me masën detyrim paraqitje. Për 11 janë dhënë arrest me afat 10 ditor dhe 15 ditor, pasi ka pas mungesë provash dhe prokuroria duhet të sjelle prova shtesë. Ndërsa 22 protestues janë lënë në arrest shtëpie dhe vetëm 7 në arrest me burg.