Prokuroria: Klodian Rasha nuk u dhunua, hetimet drejt fundit, do reflektohen në kualifikimin e veprës penale

Prokuroria e Tiranë mohon që të ketë pasur konflikt fizik mes efektivit të policisë Nevaldo Hajdaraj dhe 25 vjeçarit Klodian Rasha përpara se ta qëllonte me armë mbrëmjen e 8 dhjetorit.

Në një njoftim për mediat, organi i akuzës sqaron se "nisur nga reagime të ndryshme, në mediat audio-vizive dhe ato të shkruara, në lidhje me pretendimet për konflikt fizik, keqtrajtim të kufomës, përpara ndjekjes, gjatë ndjekjes dhe pas goditjes me arme zjarri nga autori i ngjarjes apo persona të tjerë, e ndjejmë me vend të sqarojmë, duke respektuar dispozitat e Kodit te Procedures Penale për sekretin hetimor, se në bazë të provave të pakundërshtueshme, të administruara, nuk ka patur përdorim dhune".

Grupi hetimor, krahas hetimit në lidhje me identifikimin e mekanizimit të ngjarjes si dhe të përgjegjësise ligjore te autorit të ngjarjes, ka kryer dhe është në vijim të kryerjes të veprimeve hetimore qe kane per objekt identifikimin e autorësisë të armës te zjarrit të gjetur në Rrugen ‘At Zef Valentini’, si dhe mekanizimit te rrethanave te gjetjes së saj.

Më tej organi i akuzës sqaron të gjithë hapa procedurialë të ndjekur prej saj lidhur me ngjarjen.

-Që nga momenti i parë, veprimet hetimore janë kryer në kontrollin e Prokurorisë, sipas normave procedurale. Është krijuar grupi hetimor, i përbërë nga shërbimet e policisë gjyqësore të strukturave të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, Drejtoria, Tirane, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkalles se Pare, Tiranë, të cilët menjeherë pas njoftimit për ngjarjen e sipërcituar kanë qënë të pranishëm në vendin e ngjarjes.

 -Grupi hetimor, në vendin e ngjarjes si dhe në ditët në vijim kanë realizuar veprimet e para hetimore të domosdoshme dhe të nevojshme, që kanë të bëjnë me kqyrjen e vendit të ngjarjes, kqyrjen e kufomës, pyetje të shtetasve të ndryshëm, marrjen dhe ekzaminimin e pamjeve filmike, si dhe veprime qe kanë të bëjnë me identifikimin e mekanizimit te ngjarjes dhe të veprimeve të kryera nga subjektet proceduriale, autori i vepres penale, viktima si dhe subjekte te tjera.

-Pas ngjarjes së ndodhur, dhe deri tani, janë realizuar një sërë veprimesh hetimore, shteruese, ezauruese, efikase, te pandikuara dhe pa pjesemarrjen në kryerjen e këtyre veprimevete, të shërbimeve të strukturave të Policisë së Shtetit, me qëllimin e vetem, identifikimin sa më të plotë, shkencor dhe teknik të mekanizimit të ngjarjes si dhe të identifikimit të pergjegjësise penale të autorit të ngjarjes.

Por ndërsa ndaj efektivit të policisë ka nisur hetim për veprën penale “Tejkalim i kompetencave dhe shpërdorim detyre”, Prokuroria e Tiranës se veprimet hetimore në lidhje me këto rrethana janë në përfundim të tyre, dhe mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer.

"Kryerja e veprimeve hetimore në drejtim të mekanizimit të ngjarjes, dhe identifikimit të përgjegjësisë penale të autorit, ku deri në këtë njoftim, shprehemi të bindur se veprimet hetimore në lidhje me këto rrethana janë në përfundim të tyre, dhe mekanizmi i ngjarjes është i qartë dhe i zbardhur në mënyrë të plotë, dhe do reflektohet me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprës së kryer" thuhet në njoftim.

"Jemi në rang të kryerjes së veprimeve të plota hetimore, dhe garantojmë opinionin publik për pavarësinë e tyre, në respektim të plotë të normave procedurale në fuqi. Shprehim gadishmërinë tonë në përmbushjen e detyrave kushtetuese, duke i kërkuar opinionit publik, medias vizive dhe asaj të shkruar, dhe vëçanërisht familjarëve të të ndjerit Klodian Rasha, besim të plotë në një hetim objektiv dhe të shpejtë, me qëllim vënien në përgjegjësinë e duhur penale të autorit dhë dënimin e tij sipas ligjit".

Prokuroria: Nuk është ushtruar dhunë ndaj Klodian Rashës, hetim objektiv dhe të shpejtë by Ora News Lajme on Scribd