Rama: Pensioni për familjen Rasha vendim qeverie, jo akt normativ, ja pse u përdor termi 'aksidentalisht' për vrasjen
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka zhvilluar një konferencë me gazetarët, ku ka dhënë edhe komentin e tij në lidhje me pensionin e dhënë për familjen e Klodian Rashës dhe cilësimin si vrasje aksidentale në dokumentin zyrtar.
Rama tha se vendosja e një pensioni për familjen Rasha nuk është akt normativ por është një vendim qeverie.
Rama: Kjo është një nga çorbat që keni bërë ju. Në çorbë që ka trazuar shpirtrat e njerëzve për shkak ose qëllimit të keq, ose padijes. E para nuk është akt normativ, është vendim qeverie. E dyta pikërisht se qeveria nuk është gjykatë dhe pikërisht pse qeveria nuk mund të marrë përsipër të bëjë rolin e gjykatës është përdorur thjesht dhe vetëm një term juridik, teknik, për të përcaktuar arsyen e dhënies së pensionit.
Ai tha se është përdorur termi 'aksidentalisht' për vrasjen e Klodianin për faktin që ai nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policor, por ka humbur jetën në kushte të një përplasje aksidentale.
Rama : Është thënë aksidentalisht nga veprimi i forcave policore. Kjo do të thotë që personi që humbi jetën tragjikisht, nuk ka qenë objekt i ndonjë misioni policor, por ka humbur jetën në kushte të një përplasje aksidentale. Dhe pikërisht për të mos marrë përsipër të bëjmë gjykatën, por thjesht për të dhënë atë kontribut, atë pension që është shprehje e solidaritetit me familjes, që është shprehje e motivit pse dhe si ne kuptojmë këtë detyrë kur themi 'Ti nuk do jesh kurrë vetëm' në hallin që të ka zënë apo në problemin që ke, është trajtuar me këtë tekst. Po të ishte aksident, po të kishte ndodhur se i erdhi plumbi rikoshet nga ndonjë aksion policor që zhvillohet aty pranë, nuk do merrte pension.