Në kërkim ndërkombëtar, Policia rikujton 10 mijë euro për kokën e Talo Çelës
Polica e Shtetit ka rikujtuar edhe njëherë ofertën prej 10 mijë eurosh për këdo që jep informacion në lidhje me të shumëkërkuarin Talo Çela.
Policia ka bërë fillimisht këtë ofertë më 7 korrik 2020, pas disa dështimesh radhazi për kapjen e tij, ndërkohë që e ka rikthyer në vëmendje edhe njëherë mëngjesin e sotëm.
"Për këdo që do të japë informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e këtij personi, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shumën 10 mijë euro." thuhet në njoftimin e policisë
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Ky shtetas është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 09.04.2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ky shtetas është i dyshuar si autor i ngjarjes së datës 27.04.2020, në lagjen 14/1 Durrës, në vendin e quajtur “Tregu i makinave”, Shënvlash, Durrës, ku u vranë me armë zjarri 2 vëllezërit Haxhia.
Për çdo informacion që i shërben kapjes së këtij personi, qytetarët të telefonojnë në numrin e celularit 069 41 06 823, si dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të sigurt.
LEXO EDHE: Policia dështon sërish për kapjen e të shumëkërkuarit për grabitjen e Rinasit, Talo Çela