Ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Bajram Ibraj, ka folur për situatën e policisë sot, duke kritikuar vettingun që po bëhet në këtë organizatë. Ai ka folur edhe për kriminalitetin, drejtuesit e policisë, akuzat që u bëhen uniformave blu dhe ngjarjen e rëndë të 9 janarit 2004.

Krimi duhet luftuar me një strategji të mirëorganizuar nga të gjitha institucionet e shtetit. Ky është sugjerimi që jep një nga ish-drejtuesit e policisë së shtetit, Bajram Ibraj,i cili apelon edhe politikën të japë modelin e duhur.

“Kanabizimi apo krime të ndryshnme të rënda duhen luftuar me strategji dhe forcën e duhur.”

Ish-drejtuesi i lartë i uniformave blu, kritikon ashpër vettingun në Policinë e Shtetit, duke thënë se ai duhet të niste në të gjithë administratën publike.

“Policia e shtetit ka mundësi ta bëjë vetë vettingun.”

Sa i përket akuzave që i bëhen Policisë së Shtetit, Ibraj thotë se gjithëkush ka të drejtë të bëjë akuza dhe është detyrë e policisë që të sqarojë të gjitha akuzat, por edhe të marrë masa ndaj anëtarëve të saj për ta përmirësuar strukturën.

“Opozita ka detyrën e saj për tu qëndruar më pranë qytetarëve por edhe policia ka detyrën e saj që duhet ti përgjigjet me shpejtësinë dhe profesionalizmin e duhur, kur ka problematika që do të duhej të ishin zgjidhur më mirë, është e natyrshme që policia të reflektojë.”

Ibraj flet edhe për ngjarjen e rëndë të 9 janarit 2004, ku në ujërat e Gjirit të Palasës humbën jetën 28 persona, dhe familjarët çdo vit hedhin akuza ndaj tij.

“Si mund të kishte gisht policia e shtetit në një kohë kur policia e shtetit ka shkuar e para në ngjarje. Kanë qenë çështje kryesisht politike dhe mediatike, ne kemi vepruar në mënyrë instituconale”.