Rektori i UT-së mesazh studentëve para nisjes së vitit të ri akademik: Regjistrohuni në platformën online

Një ditë para nisjes së vitit të ri akademik 2020-2021, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, i është drejtuar me një videomesazh studentëve dhe pedagogëve duke ju uruar një vit të mbarë.

"Ky është një fill viti i ndryshëm për shkak të përhapjes së virusit Covid 19 që na ka detyruar ti përgjigjemi me kushtet e imponuara. Në këtë situatë të pazakontë por të përkohshme ruajtja e shëndetit tuaj është prioritar" thotë Hoxha.

Ndërsa mësimi do të zhvillohet online të paktën për muajin nëntor, ai ftoi studentët të regjistrohen në platformën online që UT ka përcaktuar.

"Do të kisha pasur dëshirë që vitit akademik të nisë në ambjentet e fakulteteve tona por fatkeqësisht situata ku ndodhemi nuk e lejon. Ky vit akademik nis me mësimin online. Universiteti i Tiranës ka përcaktuar platformën me të cilën do të zhvillohet mësimi për aq kohë sa do të jetë e nevojshme duke besuar se do të kthehemi shumë shpejt në auditoret tona. Ftoj studentët të regjistrohen në platformën online duke ndjekur udhëzimet që ju janë dërguar" e mbyll mesazhin zoti.Hoxha me apelin që është bërë lajmotiv i pandemisë "Frikë jo, kujdes po".