Rama, demokratëve: Berisha komunisti më i rrezikshëm, koha e idealeve dhe ideve
Partia Socialiste e ka zhvendosur komunikimin nga “këndi i fjalës” në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet. Gjatë bashkëbisedimit me banorë të kësaj zone kryesocialisti Rama u njoh me problemet dhe shqetësimet e këtij komuniteti.

Puna informale e drejtuesve te taksive te palicencuara, ka qenë një nga problemet e ngritura nga një qytetar, për të cilin Rama tha se duke krijuar një Polici Shteti të mirëfilltë do ti jepet zgjidhje edhe këtij fenomeni.
“E dini mirë që ka dhe policë që bëjnë ilegalisht taksixhiun, ka një rrjet të tërë që funksion kështu duke goditur taksitë me licensë, s’ka konkurencë të lirë, s’ka asgjë. Kemi kërkuar atëherë nga qeveria të vendosë rregulla dhe të goditen piratët , nuk u bë kurrë. Nuk është vetëm çështje ekonomike, por dhe e sigurisë. Shqipëria është katandisur si mos më keq, çështja e sigurisë është mbi të gjitha, ka lënë pas edhe korrupsionin dhe varfërinë. Pse se s’ka shtet, s’ka garanci ligjore. Të marrin pronën, të dhunojnë në derë të shtëpisë dhe nuk duan t’ia dinë fare. Nga 2005 e deri më sot janë 4 fishuar vrasjet. Do merremi shumë seriozisht me të gjitha aspektet e policisë së shtetit. Do reformojmë kuadrin ligjor, për të përcaktuar qartë pozicionet” tha ai.
Rama ka dhënë edhe njëherë përgjigje për faturën që do ketë në buxhetin e shtetit nga propozimi i tij për të hequr taksën e vogël, që sipas tij është e pakonsiderueshme ndërsa efekti i saj është i madh tek qytetarët.
“Heqja e taksës për biznesin e vogël nuk është e papërballueshme, është një shumë më pak se 30 mln dollarë, bëhet fjalë për 400 mijë njerëz. Për Ministrin e Financave është vetëm statistikë, për ne janë njerëz. Heqja e taksës do ndodhë brenda 100 ditëve të para, por nuk do ndalemi vetëm këtu, do përgjysmojmë edhe tatimin e fitimit” theksoi Kryesocialisti.