Turqia kundër hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Rusia përçmon foton Vuçiç-Trump
Dakordimi i palëve në Shtëpinë e Bardhë, përfshin edhe pajtimin e Kosovës dhe Izraelit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe që Kosova të hapë ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar ta lëvizë ambasadën e saj nga Tel-Avivi në Jerusalem vitin e ardhshëm.
Ministria e Jashtme e Turqisë e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”.
“Turqia është në mesin e shteteve të para që e ka njohur Kosovën, i ka ofruar përkrahje të madhe për një kohë përpjekjeve të saj për njohjen ndërkombëtare. Por, nuk na duket e drejtë që ky proces të ndërtohet kundër ligjit ndërkombëtar dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën okupim”, thuhet në deklaratën e ministrisë turke, në të cilën i bëhet thirrje Kosovës që të përmbahet nga vendimi për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.
Press Release Regarding the Reports on Kosovo’s Decision to Open an Embassy in Jerusalem https://t.co/s803l6daUT
— Turkish MFA (@MFATurkey) September 6, 2020
Turqia i bëri thirrje edhe Serbisë të përmbahet nga zotimi për zhvendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem.
Zakharova “përçmon” fotografinë e takimit Trump–Vuçiç
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, nxiti reagimin e zemëruar të zyrtarëve serbë duke publikuar në llogarinë e saj në facebook fotografinë e presidentit serb gjatë takimit me presidentin Amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë duke e krahasuar me një skenë nga filmi “Pasionet e ulëta” (Basic Instict).
“Nëse jeni ftuar në Shtëpinë e Bardhë, ndërkaq karrigia është e vendosur sikur po ju marrin në pyetje, uleni sikurse në fotografinë numër dy, kushdo që jeni. Më besoni”, shkroi ajo.
Zyrtarë serbë e cilësuan të “turpshme” postimin e zëdhënëses ruse, duke kujtuar se Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë.
А замисли тај председник ниједну ружну реч против Русије није рекао, чак ни на том месту. А замисли тај председник је код руског председника и по сат и по времена чекао на пријем и никада није тражио посебну столицу. Ја Вам не дозвољавам да нападате поносну Србију. Срам Вас било! pic.twitter.com/yCdQDhxWIF
— Марко Ђурић (@markodjuric) September 5, 2020
Presidenti serb, tha ndërkaq se "na takonte të luftojmë për një marrëveshje të rëndësishme në Uashington, të tregojmë guxim dhe vendosmëri. Serbia dëshiron të respektohet edhe në Uashington, edhe në Moskë, edhe në Bruksel dhe në Kinë".