U bllokuan në Bilisht, lejohet kalimi i 300 udhëtarëve drejt Kapshticës
Raportimi i orës 15:00 - Lejohet kalimi i 300 udhëtarëve drejt Kapshticës
Rreth 300 udhëtarë kishin mbetur të bllokuar në në qytetin e Bilishtit, disa kilometra larg Kapshticës pasi 5 autobusa dhe disa automjete ishin bllokuar nga Policia.
Aksi është bllokuar nga Policia në mënyrë që udhëtarët mos shkojnë në Pikën Kufitare për të shkuar në Kapshticë.
Prej 5-6 orësh, udhëtarët ndodhen në Bilisht ku janë bllokuar nga postblloku dhe nuk lejohen as më këmbë të shkojnë në doganë.
Ndërkohë pak pas mediatizimit të situatës autobusët u lejuan të nisen drejt Kapshticës.
Raportimi i orës 14:31 - Policia ka ngritur një postbllok në dalje të qytetit të Bilishtit në rrugën që të çon për në Pikën Kufitare të Kapshticës.
Rreth 300 udhëtarë tashmë kanë mbetur të bllokuar.
Ata shprehen të revoltuar për këtë fakt, dhe shprehen se po të jetë e nevojshme do të ecin edhe në këmbë, por nuk do të kthehen mbrapsht.
''Ne po vijmë nga Tirana. Do kalojmë, është afati fundit. Biletat i kemi prerë që pardje. Do ikim në këmbë po qe nevoja, nuk kthehemi mbrapsht. Do kalojmë në këmbë se s'bën. Shteti të japë përgjigje. Ato të tjerët që kaluan me makina çfarë kanë më shumë? Ikim në këmbë ne, nuk e kemi problem. Kemi fëmijë.''

