Vasilis Vasilikos në Tiranë, shkrimtari i njohur vlerëson rolin e shqiptarëve në Greqi
Shkrimtari grek, Vasilis Vasilikos, i rikthyer në Tiranë për botimin në shqip të Romanit “Z” nuk ka nguruar të flasë as për marrëdhënien mes dy vendeve.Shkrimtari i konsideruar një prej penave më të spikatura të letërsisë helene, ka vlerësuar rolin e shqiptarëve më historinë dhe të tashmen e Greqisë.“Revolucioni i 1821 në Greqi nuk do të kishte fituar nëse nuk do kishte mbështetjen e shqiptarëve. Shumë emra të mëdhenj të revolucionit grek ishin nga Shqipëria. Madje pa ata do të ishte shkatërruar dhe revolucioni i 1947-‘49. Sot shqiptarët që gjenden në Greqi, nuk janë grekë, por janë bërë qytetarë grekë. Problemi tani është se mos bëhemi ne emigrantë në Shqipëri? Kriza dhe situata janë të tilla”.I konsideruar si një një çelës për të kuptuar Greqinë e sotme, romani ka në qendër vrasjen e deputetit George Lambrakis, 53 vjet më pare.
“Harruam se heroina në librin “Z” është gruaja e Lambrakis. Në faqet e librit gjejmë krimin, vrasjen barbare, ndërsa pjesa më lirike është e lidhur me pjesët e gruas. Tek ajo ne gjejmë dramën e gjithë Greqisë. Në këtë botë nuk paguajnë burrat, por grate”.Për botuesin, Petrit Ymeri, romani i shërben njohjes mes fqinjëve.“Z” që erdhi në shqip nga Kleo Lati nën siglën e shtëpisë Botuese "Dituria" u prezantua në librarinë Tirana Times me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Greqisë në Tiranë, Leonidhas Rokanas si dhe personalitete të tjera të historisë dhe letrave shqipe.