Ish-Presidenti: E papranueshme mungesa e një muzeu për Aleksandër Moisiun

Ekspozita e çelur në Kavajë nën kujdesin e Fondacionit “Moisiu” është një kritikë artistike ndaj vemendjes së munguar përballë vlerave, kontributit dhe rolit të patjetërsueshëm të kolosit të artit skenik.Personalitete të politikës, medias, artit dhe kulturës, përmes fotografive të shkrepura ndër vite gjatë roleve ku spikati më së shumti Aleksandër Moisiu, prekën nga afër dëshmi se ai mbetet edhe sot frymëzim.Ish presidenti Alfred Moisiu, pinjoll i të njëjtës familje, nuk e shmang dot atë që e quan papërgjegjshmëri të politikës dhe jo vetëm, që lidhet me mosvlerësimin e figurës së Aleksandër Moisiut. Ekskluzivisht për Ora News, ish Kreu i Shtetit e konsideron gabim trashanik mungesën e një muzeu për yllin e skenës teatrore botërore.Alfred Moisiu: Aleksandër Moisiu, unë jam ndeshur me raste që nuk e dinë që është shqiptar. Pra ne nuk kemi muze për njerëz të tillë që kanë vlerë ndërkombëtare. Për Aleksandër Moisiun kanë bërë një rrugë në Vienë, pranuan që të vendosin edhe një bust atje, ndërsa këtu tek ne për fat të keq nuk bëjmë dot një muze.Dhe kur vjen fjala për të gjetur arsyet e këtij indiferentizmi përballë asaj çka simbolizon aktori, Moisiu e lidh me varfërinë dhe injorancën.Alfred Moisiu: Unë kam mendimin që ne si shqiptarë kemi dy sëmundje, ose dy armiq si popull. Kemi varfërinë dhe injorancën. Mirëpo injoranca nuk luftohet me llafe, ne duhet të ngremë vlera e këtyre njerëzve që kanë kontribuar në kulturën botërore, jo vetëm kulturën shqiptare. Asnjë nga kryeministrat…me gojë kanë qenë dakord të gjithë që nga Fatos Nano, Sali Berisha, Edi Rama akoma më shumë ama në fakt asgjë. Nuk po flas për ministren e Kulturës që shumë pak interesohet, se atyr po nuk u tha kryeministri nuk lëvizin nga vendi.Aleksandër Moisiu u lind më 2 prill 1879, në Trieste, nga prindër shqiptarë. I ati, Konstantin Moisiu ishte një tregtar nga Kavaja, ndërsa e ëma, Amali de Rada, arbereshe. Rolet "Tartufi", i Molierit, Edipi te Sofokliut dhe Hmaleti nga Shekspiri, janë ndër kryesoret ku spikati i madhi Aleksandër Moisiu. Ai do të mbyllte sytë më 23 mars të vitit 1935 në Vjenë./Oranews.tv/