Wolfarth i kujdesshëm në deklarata: KQZ të plotësohet, s’është apel por dëshirë
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka deklaruar sot se plotësimi i vendeve vakante në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve duhet të jetë në krye të axhendave të partive politike në vend.Në një prononcim për mediat, ambasadori Wollfarth duke iu referuar situatës në KQZ theksoi se ecja përpara drejt integrimit kërkon një stabilitet institucional.“E kam përmendur para disa ditësh pasja e një KQZ-je të plotë duhet të jetë në krye të listës së dëshirave. Ajo çka është më e rëndësishme, dëshiroj të them se ndiej një sens gjithmonë e më të madh konstruktiviteti këtu në vend, këtu në Shqipëri, në këto ditë të rëndësishme para zgjedhjeve, në këtë vit të rëndësishëm. Zgjedhjet dhe përgatitja e zgjedhjeve është një proces i rëndësishëm, ku qartas përfshihet KQZ-ja. Por edhe diskutimi nga partitë politike dhe liderët politikë rreth gjërave të tjera të rëndësishme që vijnë pas 23 Qershorit është shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm. Hapja e rrugës drejt integrimit të mëtejshëm evropian dhe, kështu, edhe drejt stabilizimit institucional, është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm, prandaj unë uroj të merret sa më shpejt, duke përfshirë këtu edhe parlamentin. Por do të doja të theksoja se kjo është një dëshirë imja, duke e konsideruar veten një mik të shqiptarëve, nuk është një apel” tha Wollfarth.Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë u shpreh optimist sa i përket vendimit që do të merret në seancën e jashtëzakonshme të Parlamentit për 3 ligjet ndërsa shtoi se do të donte të shihte më shumë bashkëpunim mes palëve.“Çdo gjë që do të vendoset në parlament do të jetë një vendim i duhur dhe sovran dhe unë sigurisht shpresoj që të jetë në të mirë të shqiptarëve. Kuptohet që të ashtuquajturat ‘tri ligje’ janë shumë të rëndësishëm, por po aq e rëndësishme është edhe lufta ndaj korrupsionit, trafikimit dhe disa problemeve të tjera të vështira. Siç e thashë, ndjenja në rritje e konstruktivitetit bëhet gjithmonë e më e dukshme dhe unë do të doja ta shihja më shumë”përfundoi Wollfarth.Deklarata e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth u bë pas aktivitetit të organizuar në qendrën TEN për trajnimin e një grupi të verbërish, për të votuar në zgjedhjet e 23 Qershorit.