PDIU hap fushatën në Tiranë: Do zgjidhim çështjen çame dhe atë kombëtare

Partia Drejtësi, Intergim, Unitet ka hapur pasditen e sotme fushatën zgjedhore në Tiranë ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të kësaj partie.Kryefjala në këtë takim ka qënë çështja çame dhe ajo kombëtare.Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU në fjalën e tij ka bërë thirrje për bashkim kombëtar dhe se interesi i partisë që drejton është bashkimi i shqiptarëve kudo që janë.“Kur ju ta kuptoni origjinën e frymëzimit tonë politik, që qëndron në themelet e historive tona familjare, të brezave të tërë njerëzorë, të shpërngulur nga trojet e tyre etnike, atëherë do keni më shumë arsye pse do të votoni PDIU-në më 23 qershor. Kur ju të kuptoni se sa shumë kemi bërë Ne, të nxitur nga kjo histori personale, familjare, komunitare, tipike e popujve të gjysmuar nga genocidi, atëherë s’do të keni asnjë mëdyshje : do të votoni PDIU-në.” – u shpreh Idrizi.Duke u ndalur tek arritjet e Partisë Drejtësi, Integrim, Unitet, Idrizi renditi një sërë faktesh: “Falë PDIU-se, çështja kombëtare çame, është sot në qendër të vëmendjes së opinion publik. PDIU  ka qenë partia e vetme shqiptare që pa kurrfarë kompleksi dhe frike ka folur haptazi për bashkim kombëtar dhe është angazhuar konkretisht me një program e plan veprimi për të përmbushur detyrën që paraqet kushtetuta shqiptare për përmbushjen e aspiratës shekullore të kombit tonë për bashkim. Ne po i japim çështjes çame një dokument politik të dorës së parë siç është Rezoluta e 2004-ës, që ka brenda gjithçka duhet për betejën tonë të re. Sepse Rezoluta nuk është e gjitha, ajo është vetëm fillimi. Rezoluta ishte e fshehur nën sirtar, nën pluhurin e harresës. Ne e detyruam politikën shqiptare të hynte në garë për të miratuar një rezolutë për çështjen çame.” - deklaroi kreu i PDIU-së.Më pas Idrizi, ka shpalosur dhe programin e PDIU, program i cili sipas tij, do të zbatohet në çdo pikë dhe çdo gërmë.Dashamir Tahiri, deputet i kësaj partie në parlament sqaroi se PDIU është e vetmja forcë politike që ka interes zgjidhjen e çështjes çame.“Ju të gjithë e keni parë se çfarë ka bërë PDIU në këto vite, prandaj ju ftoj të gjithëve që më datë 23 qershor të votoni Partië Drejtësi, Integrim, Unitet, të votoni numrin 50, të votoni për veten tuaj, për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për të ardhmen e Shqipërisë dhe për çështjen kombëtare.” – u shpreh Tahiri.Tahir Muhedini, kryesues i listës për kryeqyetin, u shpreh se dita e çamërisë ka ardhur dhe se 23 Qershori do të jetë ditë e madhe.“Me dy deputetë ne i kemi bërë shqiptarët të ndihen më krenarë,  kemi shërbyer si zënëdhës të problemeve të bashkëkombasve tanë nga Tivari në Tetovë, nga Presheva në Prevezë” - u shpreh Muhedini.Muhedini u bëri edhe një herë thirrje të gjithë shqiptarëve që të votojnë numrin 50  për të garantuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre.