PS:Berisha të mos i ngatërrojë 3 ligjet me amnistinë

Partia Socialiste i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministrit Berisha për miratimin e 3 ligjeve në Parlament me kushtin që ato të hyjnë në fuqi pas 23 qershorit por jo për amnistinë.Në një konferencë për shtyp, deputetja e PS-së Vasilika Hysi theksoi se nëse kryeministri Berisha e ka seriozisht këtë votim atëherë Komisioni i Ligjeve duhet mbledhur një orë e më parë për të dakordësuar draftet, që më pas Parlamenti do të duhet të votojë."Partia Socialiste është e gatshme t'i votojë të tre ligjet vetëm nëse pala tjetër e pranon kompromisin e ofruar nga opozita. I votojmë të tre ligjet, se pala tjetër, është dakord që këto tre ligje të hyjnë në fuqi vetëm pas konstituimit të Parlamentit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Në të njëjtën kohë, ne i bëjmë thirrje Sali Berishës për ta mbajtur çështjen e integrimit europian larg fushatës elektorale. Të mos e ngatërrojë votimin e tre ligjeve me premtimet e tjera elektorale. Nëse duam integrimin e Shqipërisë në BE, le të votojmë paketën e kompromisit një orë e më parë, pa i ngatërruar tre ligjet me amnistinë fiskale” tha Hysi.