Masa të rrepta sigurie për sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Për pesë ditë kryeqyteti do të jetë nën masa të forta sigurie, pasi në Tiranë zhvillohet sesioni i pranverës i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.Të gjitha komisariatet e Tiranës kanë kaluar në shërbim të përforcuar ndërsa janë kontrolluar të gjitha hotelet ku do te akomodohen 600 delegatët.Dhimitraq Ziu zv/drejtori i Rendit dhe Sigurisë: Për këtë veprimtari janë marrë masa shtesë për sigurimin e të gjithë rrugëkalimeve ku do të kalojnë delegacionet. Janë marrë masa. Në këto shërbime marrin pjesë: shërbimet e Policisë së Shtetit, Shërbimi Informativ, Garda e Republikës së Shqipërisë, Forcat e Armatosura, Forcat Speciale Reparti RENEA dhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.Por kjo ngjarje do të sjellë edhe bllokimin e disa rrugëve. Kështu duke filluar nga ora 06:00 e datës 27 maj deri më datën 31 maj nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve pasi do të bllokohen disa nga akset të rendësishme.Akset qe do të bllokohen janë Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga kryqëzimi me Rrugën "Abdyl Frashëri" deri tek Sheshi “Nënë Tereza”. Rruga Ibrahim Rugova, nga kryqëzimi me Rrugën "Abdyl Frashëri" deri tek Sheshi "Fryderyk Franciszek Chopin". Rruga Lekë Dukagjini, nga Sheshi "Fryderyk Franciszek Chopin" deri tek Sheshi "Italia".Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", në kryqëzim me Rrugën "Papa Gjon Pali II" - Sheshi "Italia", Rruga përball Stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa". Parkingu i Bashkisë Tiranë i vendosur në Sheshin "Nënë Tereza" nuk do të funksionoi gjatë ditëve të këtij Sesioni.Pjesë e planit të masave janë edhe Shërbimi Informativ i Shtetit, Agjencia e Inteligjencës Sigurisë dhe Mbrojtjes si dhe Garda e Republikës, e cila ka marrë në dorëzim Pallatin e Kongreseve, ku do të mbahen punimet 3-ditore./Ora News/