Donald Trump, zyrtarisht kandidat i republikanëve për President
Kandidati republikan për President, Donal Trump, ka arritur numrin e nevojshëm të delegatëve për tu emëruar kandidati zyrtar i Partisë Republikane në garën e madhe presidenciale.Lajmi është bërë i ditur nga Associated Press, e cila ka llogaritur numrin e delegatëve të fituar prej miliarderit.Një numër i vogël i delegatëve të pavarur deklaruan se do të mbështesin Trump në konventën e partisë që mbahet në korrik, duke e çuar numrin e delegatëve të miliarderit në 1.238, një më shumë sesa pragu i nevojshëm. Praktikisht edhe shanset për të kontestuar Konventën para zgjedhjeve të 8 nëntorit janë minimale.Miliarderi nga Nju Jorku, manjat i pasurive të patundshme dhe ish-ylli i reality show, mbeti kandidati i vetëm i partisë në fillim të këtij muaji, pas tërheqjes së dy kandidatve të tjerë Ted Kruz dhe Jon Kasich.Republikanët do të zyrtarizojnë zgjedhjen e tyre pasi të votojnë delegatët në Konventën e kësaj partie më 18 Korrik.Trump do të garojë për postin e Presidentit me njërin nga kandidatët demokratë, ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit Hillary Clinton dhe senatorin e Vermontit Bernie Sanders, të cilët janë në garë për të zyrtarizuar kandidaturën e tyre në Partinë Demokratike.