Tregtarët e naftës paralajmërojnë rritje çmimi pas rritjes në bursat botërore

Çmimi i naftës i është rikthyer rritjes në bursat botërore, duke kapërcyer 50 dollarë për fuçi, që është edhe niveli më i lartë i 6 muajve të fundit. Një ecuri që pritet të reflektohet edhe në tregun tonë. Drejtuesit e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve bëjnë të ditur për Ora News se nëse nafta në bursat ndërkombëtare do të qëndrojë në këto nivele edhe per të paktën 10 ditë ose dy javë, atëherë çmimi do të rritet edhe në Shqipëri.Pas rënies drastike për muaj me rradhë, çmimi i naftës i është rikthyer rritjes, duke prekur në bursa kuotën e 50.1 dollarëve për fuçi.Ky është niveli më i lartë që prej nëntorit të vitit 2015.  Rritja e çmimit të naftës u ndikua nga vështirësitë në prodhimin e arit të zi në Kanada, për shkak të zjarreve në këtë vend, si dhe nga kriza që ka përfshirë ekonominë në Venezuelë.Që prej janarit të këtij viti, ku çmimi i naftës zbriti në minimumin e 12 viteve të fundit, kuotat e arit të zi në tregjet ndërkombëtare janë gati dyfishuar.Rritja e çmimit pritet të reflektohet edhe në vendin tonë.Drejtuesit e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve bëjnë të ditur për Ora News se nëse nafta në bursat ndërkombëtare do të qëndrojë në këto nivele edhe të paktën 10 ditë ose dy javë, në varësi të rezervave që kanë kompanitë, atëherë ky shtrenjtim do të reflektohet edhe në tregun e brendshëm.Aktualisht, nafta shitet me 150 deri në 158 lekë për litër, pas rritjes me 5 lekë për litër në fillim të këtij muaji.Sipas të dhënave të Global Petrol Price, të përditësuara më 23 maj, Shqipëria renditej e 15-a në botë në listën e vendeve më të shtrenjta për karburantin, duke qenë në nivele të përafërta me shtete të tilla si Danimarka dhe Zvicra.Sipas operatorëve të tregut, arsyeja kryesore e çmimeve të shtrenjta tek ne lidhet me nivelin e lartë të taksave, që përbëjnë gati 70% të çmimit.