Asambleja e NATO-s, policia merr në ruajtje hotelet, bllokohet qarkullimi
Një ditë përpara nisjes së punimeve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, policia e Tiranës ka bërë publike masat e sigurisë për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve. Rreth 600 efektivë policie do të angazhohen për të siguruar aktivitetin, ndër ta RENEA, efektivë të FNSH-së, Gardës së Republikës, si dhe Policisë Ushtarake. Ndërkohë janë kontrolluar edhe të gjithë vendet e akomondimit të përfaqësuesve të NATO-s që janë parashikuar të qëndrojnë në Tiranë.Për pesë ditë kryeqyteti do të jetë nën masa të forta sigurie, pasi në Tiranë zhvillohet sesioni i pranverës i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.Të gjitha komisariatet e Tiranës kanë kaluar në shërbim të përforcuar, ndërsa janë kontrolluar të gjitha hotelet ku do te akomodohen 600 delegatët.Dhimitraq Ziu: Për këtë veprimtari janë marrë masa shtesë për sigurinë e të gjithë rrugëkalimeve ku do të kalojë delegacioni. Janë marrë masa, janë kapur lartësitë ku do të fillojë veprimtaria e këtij aktiviteti. Në këto shërbime marrin pjesë shërbime të Policisë së Shtetit, Shërbimi Informativ, Garda e Republikës së Shqipërisë, Forcat e Armatosura, Forcat Speciale reparti RENEA dhe komisariatet e Ndërhyrjes së Shpejtë.Por kjo ngjarje do të sjellë edhe bllokimin e disa rrugëve. Kështu duke filluar nga ora 06:00 e datës 27 maj deri më datën 31 maj nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve pasi do të bllokohen disa nga akset të rendësishme.Akset që do të bllokohen janë bulevardi "Dëshmorët e Kombit", nga kryqëzimi me rrugën "Abdyl Frashëri" deri tek sheshi "Nënë Tereza”, rruga “Ibrahim Rugova” nga kryqëzimi me rrugën "Abdyl Frashëri" deri tek sheshi "Fryderyk Franciszek Chopin", rruga “Lekë Dukagjini” nga sheshi "Fryderyk Franciszek Chopin" deri tek sheshi "Italia",bulevardi "Dëshmorët e Kombit" në kryqëzim me rrugën "Papa Gjon Pali II" - Sheshi "Italia", Rrruga përballë stadiumit Kombëtar "Qemal Stafa".Parkingu i Bashkisë Tiranë i vendosur në Sheshin "Nënë Tereza" nuk do të funksionojë gjatë ditëve të këtij Sesioni.Pjesë e planit të masave janë edhe Shërbimi Informativ i Shtetit, Agjencia e Inteligjencës Sigurisë dhe Mbrojtjes si dhe Garda e Republikës, e cila ka marrë në dorëzim Pallatin e Kongreseve, ku do të mbahen punimet 3-ditore.