PS prezanton kandidatët në Rrogozhinë, Rama: Rilindje për Shqipërinë
Çdo familje që në këtë qytet ka një njeri të sëmurë dhe të papunë, në datën 23 Qershor nuk duhet të mendojë me kë parti është, por duhet të vrapojë drejt kutisë së votimit për të vendosur kryqin dhe për ta bërë shërbimin shëndetësor falas me Partinë Socialiste.
Çdo rrogëtar në këtë qytet, çdokush që e ka një rrogë, në sektorin publik apo privat, nuk duhet të mendojë se me kë është në datën 23, por duhet të shkojë tek kutia e votimit dhe me kryqin tek Partia Socialiste ta heqë taksën e sheshtë dhe të vendosi për taksimin e ndershëm, duke i dhënë vetes mundësinë që të kursejë mesatarisht 40 mijë lekë në muaj e në fund të vitit të ketë të paktën një rrogë më shumë.
Pa diskutim, pastaj, kush është i papunë nuk mund të rrijë dhe të ëndërrojë punë me PD-në dhe Saliun, por të shkojë të pushojë Saliun nga puna në 23 Qershor. Sepse, vetëm duke pushuar Saliun nga puna mund të hapet rruga e punësimit real për shqiptarin e zakonshëm” deklaroi Rama.Rama nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe sigurinë, ku ka ripërsëritur betejën për të kthyer në normalitet gjendjen.“Sot përveç të gjitha halleve është shtuar edhe një hall i madh për çdo familje, krimi. Krimi që ka dalë nga zinxhirët dhe ka marrë kontrollin duke kërcënuar sigurinë e çdo individi dhe të çdo prone.
E pra, në 23 Qershor, shqiptari i zakonshëm me votën për Partinë Socialiste do të ringrejë Policinë e Shtetit e do ta rivërë atë në mbrojtje të vetes dhe të pronës së vet. Për të gjitha këto dhe për shumë arsye të tjera, 23 Qershori është dita kur Shqipëria do të vendosë mes rrënimit të mëtejshëm apo Rilindjes; Mes rritjes së mëtejshme të papunësisë apo punësimit real; Mes shkatërrimit dhe falimentimit të biznesit apo shtimit të biznesit dhe të vendeve të punës përmes biznesit; Mes shërbimeve sipas xhepit apo shërbimeve sipas nevojës; Mes një Shqipërie të mbytur nga plehrat që importon plehra edhe nga jashtë sot dhe një Shqipërie të pastër që do ta ndalojë menjëherë importin e plehrave nga jashtë; Mes një Shqipërie pa shtet, pa institucione, pa ligj, pa drejtësi dhe një Shqipërie ku së bashku do të ndërtojmë shtetin e të gjithë shqiptarëve, shtetin që i shërben shqiptarëve pa dallim, socialistë apo demokratë. Njësoj socialistët e thjeshtë dhe demokratët e zakonshëm të Rrogozhinës vuajnë varfërinë, papunësinë, mungesën e shërbimeve. Njësoj socialistët e thjeshtë dhe demokratët e rrethit të Kavajës dhe të Qarkut të Tiranës vuajnë mungesën e mundësive për të jetuar normalisht dhe për të fituar lekë me punë të ndershme. Rilindja Shqiptare nuk është vetëm e socialistëve për socialistët, por është një rilindje e shqiptarëve dhe për shqiptarët”, u shpreh Rama.