Konventa e PD-së, Berisha: Rama mjeran, nuk kupton nga punët e shtetit

Partia Demokratike ka mbledhur sot Konventën e saj zgjedhore ku është prezantuar programi i kësaj force politike për zgjedhjet e 23 Qershorit.

Në fjalën e tij, kreu i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kreu i qeverisë, Sali Berisha, është shprehur se pjesëmarrja masive e shqiptarëve në fushatën zgjedhore të PD-së, buron nga shpirti i tyre dhe besimi për projektet e Shqipërisë së zhvilluar dhe europiane.

“Pjesëmarrja masive në këtë fushatë buron nga shpirti i shqiptarve për projektet e Shqipërisë së zhvilluar dhe europiane. Shqiptarët në të 4 anët e vendit e prekin dhe e ndiejnë, janë të sigurt se po ecin të sigurt në mandatin e tretë të Shqipërisë Europiane. Shqiptarët mbushin sheshet tona se kanë besim se në 4 vitet e ardhshme do të kapim Shqipërinë e zhvilluar dhe Europiane.

Shqiptarët që nisën rrugën e lirisë nga nivelet më ekstremiste të mjerimit në botë, ndihen krenar që në këto vite e rritën vendin e tyre , 11 herë , sa asnjë vend tjetër në Europë dhe në botë. Shqipëria e zhvilluar është vepër e të rinjve shqiptarë, atdhetarë që në këto vite me energjinë dhe entuziazmin e tyre i dhanë Shqipërisë ecjen dhe vrapin e tyre. Shqipëria e zhvilluar është vepër e vajzave, grave dhe nënave shqiptare, roli i të cilave bëhet gjithmonë e më i madh. Shqipëria e zhvilluar është vepër e qindra mijëra shqiptarëve që çelën dhe lulëzuan bizneset e tyre, punësuan dhe rritën prodhimet e tyre. Shqipëria e zhvilluar është vepër e fermerëve shqiptarë që nxjerrin nga toka prodhimet e tyre. Shqipëria e zhvilluar është vepër e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që e duan atë me gjithë shpirt dhe çdo ditë vendosin të bëjnë diçka të re. Shqipëria e zhvilluar është vepër e reformave të reja, sistemit arsimor, pasi vetëm një Shqipëri e dijes, arsimit dhe kulturës do të kap nivelet më të larta të zhvillimit. Gara e dijes është gara më madhe e të gjitha kohrave dhe shqiptarët do ta fitojnë atë”, tha kryeministri Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike nuk ka lënë pa përmendur në këtë konventë edhe kreun e selisë rozë, Edi Rama, duke ironizuar atë dhe autobuzin e rilindjes me të cilin Rama po udhëton nëpër shqipëri për të zhvilluar fushatën elektorale të PS-së.

“Nga autobuzi yt shpike shifrën 1500 km rrugë. Mjeran i shkretë dhe i padijshëm nga punët shtetërore. Ti ke qënë dhe kryetar bashkie o piktor i dështuar.  E ke lënë Tiranën me 250 km rrugë dhe rrugica të asfaltuara. Mësoje se çdo rrugë ndërtohet mbi një projekt dhe mbi një financim. Vetëm FSHZH me 120 milion dollarë ka ndërtuar 1520 km rrugë. Mësoje se Fondi Shqiptar i Rajoneve dhe grantet konkurruese kanë marrë 1miliard e 50 milion dollarë. Ti je nga ata që ke marrë jo pak po nuk i bërre rrugë por i bëre rrush e kumbulla me Koçon dhe Tiranën e le pa rrugë. Ti je i sëmurë nga rrugët dhe unë si mjek e kuptoj se ty të ka zënë “dhromofobia”, frika ndaj rrugëve. Por ti e ke gjetur vetë ilaçin. Rri në autobus. Ti në autobus ne do të ndërrtojmë çdo km rrugë të këtij vendi”, u shpreh Berisha.

Kryeministri theksoi se rruga për Shqipërinë e zhvilluar nuk është një bulevard me lule por një rrugë me vështirësi dhe të përpjeta në të cilën Partia Demokratike ka kapur stacionet më kapitale dhe më kryesore të zhvillimit.

Konventa e PD-së, është çelur nga numri dy i PD-së, Astrit Patozi, i cili në fjalën e tij u ndal tek investimet e bëra nga qeveria gjatë këtyre 8 vjetëve duke u shprehur se Sali Berisha po punon për të çuar Shqipërinë përpara.

Patozi tha se shqiptarët duhet të zgjedhin mes një lideri që po kërkon ta kthejë Shqipërinë vite dhe vite pas, dhe liderit dhe koalicionit të Sali Berishës që po kërkon ta çojë Shqipërinë përpara, për një Shqipëri të zhvilluar dhe Europiane.

"Dyert e shqiptarve për të lëvizur të lirë nëpër botë ishin të mbyllura. Fshatrat tona ishin të izoluara dhe si të ngrira nga koha. Ndërsa sot kemi një Shqipëri të rinuar dhe virtuale, ku të gjitha qarqet dhe krahinat jnë më afër Tiranës dhe më afër njëra tjetrës. Gjithçka fillon më rrugët. Në këto 8 vjet ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 10 mijë km rrugë. Ne i kemi lidhur këto rrugë me pika kufitare. Kemi rikonstruktuar aeroportin “Nënë Tereza”, 1 mln e gjysmë udhëtarë në vit. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 45 rrjete të furnizimit me ujë.Ne po lidhim qytetarët me internet kudo që ata jetojnë. Ne kemi siguruar kujdes shëndetësor më të mirë. Në po lidhim Shqipërinë me Botën, sot me PD liberalizmi i vizave është bërë realitet. Jemi anëtarë krenar të NATO. Nuk do pushojmë asnjë çast derisa të bëhemi anëtare me të drejta të barabarta ne BE. Ka ende shumë punë për të bërë dhe ne do ja dalim së bashku. Sot do flasim për zgjidhjen mes një lideri që po kërkon ta kthejë Shqipërinë vite dhe vite pas, dhe liderin dhe koalicionin e Sali Berishës që po kërkon ta çojë Shqipërinë para, për një Shqipëri të zhvilluar", u shpreh Patozi.

Ndërsa ministri Sokol Olldashi i cili e ka quajtur këte konventë si konventën e zhvillimit, në fjalën e tij është shprehur:

 “Të gjithë e dinë që PD ka ndërtuar më shumë rrugë, 10 mijë km rrugë, që lidhin komunat, fshatrat qytetet. Në ndërtojmë rrugë sepse e dimë se rrugët janë damarët ku kalon zhvillimi ekonomik i vendit. Rrugët dhe zhvillimi janë e njëjta gjë. Ka ca të tjerë që kanë humbur rrugën, janë në autobus. Janë duke dremitur në autobus. Nuk na duhet. Sot në Kukës shkohet për 90 minuta dhe për 2 orë 3 0 minuta shkon pi kafe në Prishtinë. Në këtë rrugë kalon dhe Edi Kokëdhima, por nuk e sheh”.

Genc Pollo, Ministër i Inovacionit, është shprehur se Partia Demokratike ka investuar në zhvillimin e teknologjisë.

“PD ka punuar për tu dhënë mundësinë qytetarëve të kënë sa më shumë akses në internet dhe të përdorin sa më shumë teknologjinë e informacionit. Kemi ulur kostot e telefonisë celulare. Së shpejti do të vëndosim në përdorim shërbimin 4G. Sot mund të aplikojmë online për patentën e shoferit, për maturën online, për për gjurmimin e rregjistrimit të biznesit. Kjo bën që transparenca e prokurimeve publike të jetë e dukshme”, u shpreh Pollo.

Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, në fjalën e tij ka theksuar se në Shqipëri, pacienti do të vendoset në qendër të shërbimit mjekësor.

“Blerja e aparaturave moderne është prioritet i qeverisë, ndërsa përdorimi me efikasitet I tyre është detyra jonë e përditshme. Rritja e pagave të bluzave të bardha është prioritet I qeverisë. Ne vendosim pacientin në qendër të vëmendjes dhe vëmë fokusin në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit shëndetësor. Shpërblimi I mjekëve, infermierëve dhe stafit mjeksor do të bëhet në saj të performancës”, u shpreh Halim Kosova.