UÇK,Thaçi: Akuzat janë të paargumentuara dhe të pabazuara

Kryeministri Hashim Thaçi ka thyer heshtjen sa i përket arrestimit të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Tridhjetë orë pasi EULEX-i arrestoi Sylejman Selimin, Sami Lushtakun dhe pesë pjesëtarë të tjerë të UÇK'së, Thaçi ka dhënë deklaratën e parë, duke thënë se akuzat ndaj ish-luftëtarëve janë të pabazuara dhe të paargumentuara.“Të gjitha këto dyshime edhe më herët edhe në Hagë edhe në Prishtinë, kanë dalë të pabazuara dhe shpresojmë e besojmë plotësisht se këto dyshime janë të paargumentuara dhe të pabazuara", ka thënë Thaçi, në fillim të mbledhjes së Qeverisë."Qeveria e Republikës së Kosovës beson plotësisht në drejtësi, por beson plotësisht në pafajësinë e komandantëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç besojnë qytetarët e Kosovës”, ka shtuar ai.Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës beson plotësisht në luftën e drejtë të UÇK-së, të komandantëve dhe luftëtarëve të saj, luftë kjo që bëri që Kosova të fitojë lirinë, pavarësinë, shtetin demokratik dhe partneritetin e ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe NATO-n.Sidoqoftë, Thaçi i ka dhënë mbështetje të plotë EULEX-it të zhvillojë një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm.