Prokurori kërkon paraburgim për shtatë pjesëtarët e UÇK-së
Para pak çastesh, nën shoqërimin e pjesëtarëve të policisë së EULEX-it, janë sjellë në Gjykatën e Apelit ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Zeqir dhe Jahir Demaku.Ndërkohë, dhjetëra qytetarë të Drenicës janë tubuar para Gjykatës së Apelit, duke pritur vendimin e për "Grupin e Drenicës". Një pjesë e tyre janë vendosur përballë objektit, ndërsa disa të tjerë para hyrjes kryesore të Gjykatës.Pas më shumë se një gjysmë ore që kur kanë hyrë në Gjykatë të dyshuarit për krime të lufte ka mbërritur edhe Prokurori i rastit, Mauricio Salustro.Vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake pritet të publikohet pas disa orësh dhe aty do të përcaktohet nëse të dyshuarit për krime të luftës do të mbrohen në liri ose do të jenë në paraburgim.Ndërkohë avokat i Sylejman Selimit, Tomë Gashi thotë se nuk dihet sesa do zgjasë saktë mbajtja e seancës së sotme, e cila ishte parashikuar të nisë rreth orës 15:00.“Ne supozojmë se ajo do të mbahet në mes të orës dy dhe tre. Në atë kohë, Selimi do të paraqitet në gjykatë; besoj se do të jetë në Gjykatën e Apelit, për shkak të hapësirave që i ka, por ende nuk është e përcaktuar saktësisht”, tha Gashi.Gashi tha po ashtu se deri më tani nuk ka akuzë të ngritur.“Duket se janë zhvilluar hetime për vepër penale të krimeve të luftës, ndërsa detajet nuk i dimë. Besojmë se sot prokurori i Prokurorisë Speciale, i cili është edhe prokuror i EULEX-it, Salustro, do të na japë shkresa të lëndës ose do të na njoftojë ndoshta për detajet e këtyre aludimeve”, tha Gashi.