Berisha, Ramës: Në SHBA do shkojmë për vizitë, Shqipërinë do e bëjmë Amerikë
I pranishëm në këtë tubim, kryeministri Berisha u bëri thirrje banorë të kësaj zone të të gjitha bindjeve politike të bashkohen për integrimin.
Shefi i qeverisë ndërkaq i ka kthyer përgjigje edhe rivalit të tij politik lidhur me deklaratën e bërë gjatë takimit me banorë të Kombinatit se qeveria është investuar e tëra në infrastrukturë.“Ju e dëgjuat vetë zotin Rama, kur në një bisedë me qytetarët e Tiranës do t’u thoshte atyre, tek më adresohej mua, se po t’i kërkosh punë të thotë rrugë, po t’i kërkosh shkollë të thotë rrugë, po t’i kërkosh ujësjellës të thotë rrugë. I nderuar zotëri, i ke nervat e lodhura. Dhe i ke të lodhura shumë nga rrugët që t’i ecën. Por, meqenëse e shtrove këtë problem dhe në këtë mënyrë, po të përgjigjem këtu, para këtyre qytetareve: puna dhe punësimi janë qëllimet e mia më madhore dhe fakti që në këtë rreth, bizneset janë rritur nga 700 në 1420 dëshmon se ne kemi nxitur, inkurajuar biznesin dhe zhvillimin e tij. Para se të flasësh në atë mënyrë, të ftoj zoti Rama, të ngjitesh me atë autobusin tënd mavi deri në Çermenikë. Atje sipër, zoti Rama, do të gjesh një lokal të madh, - ndonëse tanë mund të jenë disa - ku qytetarët e Librazhdit festojnë dhe bëjnë dasma si vend panoramik që është. Pronari i tij do të thotë: unë e bëra investimin, se këtu erdhi rruga. Pronari i hidrocentralit në lumin Luma, por edhe të Beles, Orgjostit, do të thotë se i ndërtuan hidrocentralet, se ne bëmë rrugën. Rruga është shpresa e qytetarëve tanë. Rruga është kushti për të mos përjashtuar rajone të tëra të vendit tënd dhe ne do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë. Por, meqenëse u shpreh se po të kërkojë shkolla, i përmend rrugën, qytetarë të Librazhdit, ne kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla në mbarë Shqipërinë dhe do të rindërtojmë çdo shkollë anekënd këtij vendi.Tani që kemi deklaruar se do të bëjmë gjithçka për liberalizmin e vizave me Shtetet e Bashkuara, dje deklaroi se të gjithë do të shkojnë në Amerikë. Jo zotëri, do të shkojnë për vizitë, do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë! Sot, edhe një herë thirrja ime është të bashkohemi për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë europiane, të bashkohemi për punësimin, për mirëqenie, për integrim. Alternativa tjetër e shpalli Shqipërinë karrocë e invalidit. Nderimin e respektin më të madh për invalidët tanë, përpjekja jonë e madhe për integrimin e tyre, por Shqipëria sot është anëtare e NATO, ajo meriton statusin e vendit kandidat, do ta marrë statusin dhe do të ecë e sigurt drejt Bashkimit Europian. Ti rri në autobus me xhama të zi. Ne do të ecim përpara për punësimin më të madh, përpara drejt mirëqenies, përpara drejt Europës. Të bashkohemi pavarësisht nga bindjet, për një Shqipëri të zhvilluar, për një Librazhd të zhvilluar, për një Shqipëri europiane, për një Librazhd europian. Rrofshi ju! Rroftë Shqipëria!” tha Berisha.
Shefi i qeverisë më tej bëri një bilanc të punës dhe investimeve të qeverisë në këtë rreth në infrastrukturë dhe shërbime.
“Vimë në Librazhd me vendosmërinë më të madhe për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit të Librazhdit. Në këto pak vite në këtë rreth kemi investuar shumë e shumë km rrugë në katër anët e rrethit. Jemi të vendosur të ndërtojmë katër vitet që vinë cdo km rrugë në cdo fshat të këtij rrethi. Gjatë këtyre viteve kemi investuar në një seri shkollash, ndërtuar dhe rindërtuar mbi 20 shkolla, do ndërtojmë dhe rindërtojmë cdo shkollë të re, kemi ndërtuar dhe rindërtuar, qëndra shëndetësore, ujësjellsa e kanalizime, numri i bizneseve është dyfishuar, nga 400 biznese që kishte Librazhdi sot ka 1400 biznese. Katër vitet që vinë janë vitet e infrastrukturës më moderne, e ujësjellësit të ri të Librazhdit dhe zonave përreth. Së shpejti inagurohen punimet në gjithë gjatësin Kukës-Qafë Plloç. Rruga që të con drejt parkut kombëtar është në ndërtim e sipër, do bëjmë gjithcka që pasuritë natyrore ti kthejmë në mirëqënie për qytetarët”theksoi ai.