Konventa e LRI, Meta: Rinia vjen vetëm një herë, s'mund t'i besoni të ardhmen Berishës
Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi sot Konventën Kombëtare, një aktivitet madhështor ku u prezantuan kandidatët për deputetë në radhët e këtij forumi.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i cili deklaroi se fitorja më 23 qershor ka vetëm një emër dhe ky emër është LRI.Meta tha se LSI është dëshmia më e mirë e përfaqësimit të të rinjve, ku 4 nga 7 kandidatët e LSI në qarkun e Tiranës, i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim.“LSI është forca e të rinjve dhe të rejave. Është vendi ku të rinjtë dhe të rejat takohen dhe bashkohen për të ndihmuar njëri-tjetrin. Por, LSI është edhe partia ku promovohen politikanët e rinj si askund tjetër. Janë me dhjetëra të rinj dhe të reja në listat e kandidatëve tanë për deputetë dhe ata e meritojnë plotësisht. Janë mjaft të rinj dhe të reja në listën e kandidatëve për deputetë edhe në qarkun e Tiranës. Por, dua t’ju them se ne të rinjtë nuk i kemi për të mbushur listat dhe as për të mbushur sheshet e mitingjeve. Tani dua t’ju them diçka për të cilën dua të më dëgjoni mirë, sidomos të gjithë të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit dhe të qarkut të Tiranës. Katër ndër 7 kandidatët e parë të LSI në qarkun e Tiranës i takojnë Lëvizjes Rinore për Integrim. Janë të rinj dhe të reja të cilët duhet patjetër të kenë mbështetjen tuaj dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave në mbarë kryeqytetin, në mbarë qarkun e Tiranës” tha ai.
“Një shprehje thotë se “pranvera vjen çdo vit, por rinia vjen vetëm një herë”. Ndaj dhe ju këtu dhe dhjetëra të rinj dhe të reja në gjithë Shqipërinë duam t’ia bëjmë të qartë kryeministrit që po largohet se rinia juaj, se rinia e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë vjen vetëm një herë dhe nuk kemi më kohë për të provuar dhe eksperimentuar një njeri që i pati të gjitha mundësitë për 8 vite për të treguar përkushtimin e tij ndaj jush dhe ndaj gjithë të rinjve të Shqipërisë”, tha ndër të tjera Meta.LSI ka në listat e saj të kandidatëve për deputetë dhjetëra të rinj dhe të rejave në të 12 qarqet e e vendit. Në Konventën Kombëtare të LRI-së përshëndetën me fjalën e tij Klajda Gjosha, Endrit Braimllari, Ardit Çela, Kejdi Mehmetaj, Ornela Zonja dhe Silva Caka.