Sezoni turistik, biznesi ngre problematika shqetësuese, u premtohet zgjidhje
Biznesi në Lezhë kërkon zgjidhjen e problematikave shqetësuese për sezonin veror, duke marrë shkas nga vitet e kaluara. Në një takim në bashkinë e Lezhës, drejtues të OSHEE dhe Ujesjellësit siguruan që këtë sezon turistik, uji dhe energjia nuk do të jenë më problem për pushuesit.Operatorët Turistik të rajonit të Lezhës kanë ngritur një sërë problematikash në prag të sezonit turistik.Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të Bashkisë dhe insitucioneve të tjera përgjegjëse, kanë ngritur shqetësimin se në bregdetin e Shëngjinit është problem furnizimi me ujë dhe energji, infrastruktura rrugore dhe pastërtia, çka u mohua nga drejtuesit e OSHEE dhe Ujësjellësit që pohuan se këtë sezon nuk do jenë më probleme.Pashk Paloka: Edhe sot që flasim, në fundjavë ose gjatë gjithë javës, kemi ndërprerje të energjisë elektrike 1 ose 2 orë në ditë.Armand Zhuka: Nuk jam terësisht dakort me pretendimet e kryetarit që thotë se energjia është keq, ka qenë. Për mendimin tonë energjia është drejt përmirësimit. Duke pasur investime, një pjesë e mirë e Shqipërisë ka ardhur drejt rehabilitimit.Zef Maçi: Problemi i furnizimit me ujë ridimensionohet çdo vit, pra nevojat rriten. Rritet kërkesa për ujë, sidomos gjatë sezonit turistik. Megjithatë njerëzit duhet të dinë diçka konkrete dhe unë po flas konkretisht dhe me përgjegjësi, qyteti i Shëngjinit do të ketë ujë 24 orë nga 1 qershori dhe deri me 31 gusht.Kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj tha se gjithçka do të jetë gati brenda 1 qershorit kur çelet zyrtarisht sezoni turistik.Fran Frokaj: Kemi një performancë më të mirë të pastrimit. Rrugët ju garantoj që do të mbarohen deri me 31 maj, është një afat për të cilin unë kam bërë kontakte të jashtëzakonshme me firmat të cilat po ndërtojnë.Këtë sezon turistik Njësia Administrative e Shëngjinit ka rritur vëmendjen duke pastruar bregdetin shumë më herët se vitet e kaluara.